Partitë politike po e bllokojnë Kuvendin

Prishtinë | 27 Sht 2017 | 15:48 | Nga

Partitë politike po e mbajnë të bllokuar Kuvendin e Kosovës, pasi ende nuk i kanë dorëzuar emrat e kryetarëve, të nënkryetarëve dhe të anëtarëve të komisioneve parlamentare.

Formimi i komisioneve parlamentare si trupa punuese të Kuvendit, është parakusht për funksionalizimin e këtij institucioni.

Kryesia e Kuvendit më 20 shtator u pati kërkuar grupeve parlamentare që t’i propozojnë emrat e deputetëve për kryetarët dhe anëtarët e komisioneve parlamentare deri më 25 shtator, por kjo nuk ka ndodhur.

Ndërsa para dy ditësh Kryesia e Kuvendit ka njoftuar se vetëm Nisma dhe Lista Serbe i kanë dorëzuar emrat, por ka bërë të ditur se Kryesia e Kuvendit nuk mblidhet pa u propozuar emrat nga të gjitha grupet parlamentare.

Lajmi.net ka kontaktuar Sekretarin e Kuvendit, Ismet Krasniqin për të pyetur nëse partitë politike i kanë dorëzuar emrat.

“Ju e dini se kurdo që vijnë emrat, ne i publikojmë në webfaqen e Kuvendit. Referojuni webfaqes”, është shprehur Krasniqi.

Ndërsa në webfaqen e Kuvendit nuk ka ende asnjë të dhënë sa i përket komisioneve.

Ndaj këtyre vonesave dje ka reaguar edhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), organizatë kjo që e mbikëqyr punën e Kuvendit.

“Fillimi i fushatës për zgjedhjet lokale ka bërë që partitë politike të orientohen në fushatë duke anashkaluar tërësisht punën në Kuvend… Grupet parlamentare përveç ndarjes së komisioneve, nuk kanë marrë mundin të propozojnë emrat e kryetarëve të komisioneve, të nënkryetarëve dhe të anëtarëve të tyre. Formimi i komisioneve parlamentare si trupa punuese të Kuvendit, është parakusht për funksionalizimin e këtij institucioni. Në anën tjetër, Kryesia e Kuvendit nuk është angazhuar në përshpejtimin e këtij procesi të rëndësishëm”, thuhet në reagimin e KDI-së.

Përndryshe që nga konstituimi i Kuvendit më 7 shtator, është mbajtur vetëm seanca për zgjedhjen e Qeverisë së re si dhe një seancë e jashtëzakonshme e thirrur nga subjektet opozitare, Vetëvendosja dhe LDK-ja për të diskutuar për programin qeverisës, por edhe kjo seancë është ndërprerë dhe nuk është vazhduar më.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme