Edhe pse jemi vetëm dy ditë larg mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit, subjektet politike ende nuk kanë vendosur se kush do të jenë shefat e Grupeve Parlamentare, ashtu siç nuk kanë vendosur as për çështjen e tre nënkryetarëve të Kuvendit.
Kuvendi i Kosovës ka pesë nënkryetarë, tre prej të cilëve propozohen nga tri grupet më të mëdha parlamentare, e që në këtë legjislaturë janë: PAN, LVV dhe LAA. Ndërsa dy nënkryetarët të propozohen nga pakicat (njëri nga subjektet serbe, tjetri nga komunitetet tjerë).
Por në koalicionin PDK-AAK-Nisma (PAN) thonë se nuk kanë diskutuar as për çështjen e nënkryetarit të Kuvendit nga ky koalicion dhe pas për shefin e Grupit Parlamentar. Por, ajo që dihet është se Nisma do të formojë Grup të veçantë Parlamentar.
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti ka thënë për lajmi.net se ende nuk është diskutuar për çështjen e emrit të nënkryetarit të Kuvendit dhe për shefin e Grupit Parlamentar.
“Nuk e di, nuk është diskutuar kjo çështje ende. Vendos kryetari besoj”, ka deklaruar Haliti.
Kurse, Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thënë se defakto AAK do të jetë pjesë e grupit të përbashkët parlamentar me partnerët e koalicionit. Megjithatë, Lekaj ka thënë se ende nuk ka asgjë konkrete për çështjen e shefit të deputetëve të AAK-së.
“Konkrete ende nuk kemi asgjë në kuptimin formal se kush do të jetë shefi i ardhshëm i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, por për të gjithë hapat e ardhshëm sigurisht që opinionit publik do t’i bëhen të ditura”, është shprehur Lekaj.
Ndërsa, Sekretari i Nismës për Kosovën ka thënë se për çështjen e emrit të shefit të Grupit Parlamentar të këtij subjekti politik do të diskutohet pasi të formohet grupi.
“Për këtë çështje do të flasim pas krijimit edhe zyrtarisht të Grupit Parlamentar”, ka thënë Sherifi.
Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje për shef të Grupit Parlmanetar pritet ta ketë sërish Glauk Konjufcën. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i këtij subjekti, Shkodran Hoti, i cili ka thënë se për çështjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhë e Vetëvendosjes ende nuk është diskutuar.
“Glauk Konjufca është propozuar për shef të Grupit Parlamentar, do të vendoset në Këshill të Përgjithshëm. Për nënkryetar të Kuvendit nuk ka pasur diskutim”, ka deklaruar Hoti.
Ndërkohë në Lidhjen Demokratike të Kosovë nuk kanë folur as për çështjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët saj dhe as për shefin e Grupit Parlamentar.