Partizani i Franko Lerda fillon të marrë formë. Të kuqtë “trondisin” merkaton në Shqipëri duke zyrtarizuar 5 afrime, ku katër prej tyre janë futbollist të huaj. Joseph Ekuban, Brian Brown, Theofilus Solomon, Aristoteles Romero dhe Aldo Teqja janë zyrtarisht pjesë e “Demave të Kuq”, ndërsa janë larguar Lum Rexhepi, Ardit Hila, dhe Reinaldo Kalari.
Ndërkaq Partizani ka rinovuar kontratën me mbrojtesit Egzon Belica për dy sezone dhe për një sezon me Labinot Ibrahimin. Ekuban, Broën dhe Solomon janë të tre sulmues, ndërsa Romero është mesfushor me tipare mbrojtëse dhe Teqja është portieri, i cili do të jetë zëvendësuesi i Alban Hoxhës.
Brown ka nënshkruar një kontratë për dy vitet e ardhshme me Partizanin, ndërsa vjen nga skuadra e Reno 1868, që militon në Kampionatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës USL Championship. 26-vjeçari aktualisht është pjesë e përfaqësueses së Xhamajkës, e cila po luan në Kampionatin e Kupës së Amerikës së Veriut, turneu “Gold Cup 2019”.
Gjithashtu për dy vite ka nënshkruar edhe sulmuesi, Theofilus Solomon, i cili i bashkohet të kuqve pas një eksperince në Hungari me klubin Ujpesht. 23 vjeçari në karrierën e tij ka luajtur në kampionatin kroat me ekipet e Rijekës, Zadar, Shibenik, Istra 1961, Inter Zapreshiç. Gjithashtu ai ka qenë pjesë edhe e Partizanit të Beogradit në Serbi dhe Omonia Nikosia në Qipro.
Ndërkohë, mesfushori Aristoteles Romero mbërrin te kampionët e Shqipërisë me formulën e huazimit për një vit nga Crotone. Edhe Ekuban u bashkua me të kuqtë me formulën e huazimit për një vit, por me të drejtë blerje nga Hellas Verona. Ndërkaq, portieri Aldo Teqja ka nënshkruar për një vit me të kuqtë ndërsa i bashkohet kampionëve pas tre sezonesh te Skënderbeu.
Afrimet e reja kanë bërë që drejtuesit të ndërpresin bashkëpunimin me disa lojtarë. Ardit Hila, Lum Rexhepi dhe Reinaldo Kalari kanë mbyllur aventurën me kryeqytetasit, ndërsa kanë rinovuar Egzon Belica dhe Labinot Ibrahimi.