Pas djegies, nis rindërtimi i pikës së taksimit

Prishtinë | 03 Pri 2018 | 14:24 | Nga

Kur të arrestuarit me shumë gjasë do të transportohen nesër në orët e para të mëngjesit drejt Kukësit për t’u njohur në gjykatë me masën e sigurisë, do të shikojnë se puna për rindërtimin e mjediseve ku do të paguhet taksa për Rrugën e Kombit që u dogj të shtunën, ka rinisur.

Makina të Shqipërisë dhe Kosovës qarkullojnë nëpër korsitë që për momentin përshkohen pa pagesë në Rrugën e Kombit. Por qytetaret që këto ditë nuk po paguajnë, kanë të njëjtin opinion për tarifën.
“Me kushtet që jetojmë ne në Kosovë dhe këtej në Shqipëri, nuk është tarifë normale. Është e pakapshme. Unë e bëj dy herë në javë. Protesta duhej, ndoshta nuk duhej aq e dhunshme”, shprehet një qytetar.

“Na kujton 99-ën në Kosovë, merr pare këtej, merr pare andej”, shprehet një tjetër.

Qytetarët i kanë bërë mirë llogaritë.

“Ia kemi paguar taksat kësaj rruge, paguajmë 500 mijë lekë letrat e makinës. A duhet të paguajmë më?! Çfarë tarife. Kjo është Rruga e Kombit, duhet të lidhë kombin”, thotë një qytetar.

“Forca e popullit është e pakontrollueshme. S’duhet të ketë tarifë. O taksë tek nafta, o të paguajmë rrugën. Këtu 300 mijë lekë marrim në muaj”, thotë një tjetër.

Përdoruesit e këtij aksi i njohin mirë rrugët e Europës, raporton TCh, transmeton Klan Kosova.

“Udhëtoj në të gjithë Europën. Si guxon që të dalë në autostradë një makinë për skrap, apo një lopë e një qen. Autostrada ka rregullat e veta. Tarifa, nëse autostrada rregullohet si në Europë nuk është shumë. Por për momentin, nuk duhet”, thotë një shofer.

Ka nga ata që bëjnë foto, apo video të pasojave të protestës së të shtunës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme