Në mungesë kuorumi ka dështuar të votohet Raport i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi.
Ngjashëm ka ndodhur edhe me Raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Media për vitin 2017.
Formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala, është shtyer për seancën tjetër pasi që nuk janë emrat e mjaftueshëm për komision hetimor. Përbërja e komisionit do jetë me 11 anëtarë.
Deputeti Milaim Zeka tha se është i lumtur që më në fund po bëhet një komision hetimor për të zbuluar skandalet që lidhen me gjendjen e PTK dhe Vala.
“Mendoj se piramida e krimit është pikërisht në këtë institucion dhe institucionet tjera prandaj ftoj kolegët që të formojnë një komision hetimor dhe ti hyjmë rend me rend dhe të hetohen gjitha skandalet që janë bërë në këto institucione”, ka thënë Zeka, raporton Ekonomia Online.
“Kontrata me Z mobile i ka marrë të gjitha shërbimet e post Telekomit të Valës dhe e ka shkatërruar këtë institucion, më mirë ka qenë mu shit vala për 100 dollar kur ka dal në privatizim dhe me u pas shit nuk ishte përfaqësuar nga grupet kriminalë ky institucion”, tha ai.
“Unë besoj se kush nuk ka interes të drejtpërdrejtë me këtë institucion është i interesuar ta bëj këtë komision hetimor”, tha ai.
E, deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj tha se shpreson që në të ardhmen në kuvend të vijë edhe një votim për komision hetimor në KEDS pasi që po lë pa energji gjithë Kosovën dhe nuk po e heton askush.
“Kisha dashtë që kjo seancë në të ardhmen me krijuar një institucion hetimor për KEDS-in që e ka lënë shumicën e zonave të Kosovës pa energji dhe nuk po i raporton askujt”, tha Haradinaj.
Në këtë seancë nuk pasur kuorum të votohet as kërkesa e Grupit Parlamentar të PSD-së për caktimin e kryesuesit të Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Deputeti i PSD-së, Dardan Sejdiu tha se nuk po gjejnë dakordim me Vetëvendosjen për të marrë kryesinë e komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe për këtë kërkon nga Kuvendi përmes votës të zgjedhet në krye të këtij Komisioni, Faton Topallin.
“Na takon kryesuesi i komisionit për mbikëqyrjen e agjencisë së Kosovës dhe për këtë nuk kemi has dakordim nga kolegët e VV-së, atëherë tash pas 6 muaj diskutimesh është kërkesë e grupit tonë që ky komision me votë të Kuvendit të i jepet në kryesim PSD-së në krye me Faton Topalllin”, tha Sejdiu.
Kuvendi ka mbyllur punimet e kësaj seancë dhe për seancën e re vendos kryesia nëse do mbahet në ora sot në orën 18:00.