Produktet e prodhuara në Serbi janë rikthyer në tregun e Kosovës, që kur qeveria në detyrë ka zëvendësuar taksën 100 për qind për produktet serbe, me masat reciproke më 1 prill të këtij viti.
Sipas Doganës së Kosovës, nga 1 prilli deri më 25 maj nga Serbia në Kosovë kanë hyrë mallra në vlerë 29 milionë euro, kryesisht produkte ushqimore dhe grurë.
Gjatë muajit prill, sipas të dhënave të Agjencisë se Statistikave të Kosovës, importi i mallrave nga Serbia në Kosovë ka arritur në vlerën mbi 15 milionë euro përderisa në periudhën e njëjtë të vitit 2019, kur ka qenë në fuqi taksa 100 për qind, vlera e mallrave serbe në Kosovë ishte 637 mijë euro.
Nga Kosova në Serbi në muajin prill janë eksportuar mallra në vlerë prej 1.1 milion euro.
Një ndër kompanitë që ka filluar importin e disa produkteve nga Serbia është “Elkos Group”.
Kushtrim Mujaj menaxher i importit në këtë kompani, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thekson se kanë importuar sasi të vogël të produkteve, kryesisht ato produkte që kanë çmim më të ulët, sesa në vendet e Bashkimit Evropian.
“Ka disa lehtësira për disa kategori që të furnizohemi prej Serbisë me çmime më të lira, sesa jemi furnizuar deri më tash nga shtetet e tjera. Një nga produktet që në tregun e Serbisë është më i lirë, është vaji i produkteve ushqimore. Disa lloje që kemi importuar më herët, kemi filluar importin gradual të tyre në sasi të vogël”, tha Mujaj.
Qeveria në detyrë e Kosovës e ka zëvendësuar taksën prej 100 për qind për produktet nga Serbia, të vendosur nga qeveria e kaluar në nëntor të vitit 2018, duke futur gradualisht masat reciproke.
Masa e parë e tillë ka të bëjë me emërtimin e Kosovës në dokumente që duhet të përputhen me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Këto dokumente janë si certifikata fitosanitare dhe veterinare dhe dokumente të tjera ndihmëse për ushqim dhe produkte të tjera me origjinë bimore, joshtazore dhe shtazore, që janë objekt i kontrollit kufitar.
Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se nga 1 prilli – kur është shfuqizuar taksa dhe është vendos reciprociteti – e deri më tani, vlera e mallrave nga Serbia ka arritur në 29 milionë euro. Shumica e këtyre produkteve janë nga industria ushqimore, konkretisht gruri.
Të gjitha dërgesat nga Serbia vijnë më dokumentacion që i përmbahet vendimit të Qeverisë në detyrë të Kosovës për reciprocitet.
“Në fillim kemi pasur disa problematika, por me kalimin e kohës të gjitha dërgesat që vijnë nga Serbia, janë komplet në rregull. Deri më tani nuk kemi hasur asnjë dokument i cili nuk i përmbahet vendimit për reciprocitet të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, tha Stavileci.
Eliminimi barrierave, në interes të bizneseve
Edhe ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se eliminimi i barrierave me vendet e rajonit është në interes të komunitetit të biznesit.
Safet Gërxhaliu, ish-kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se shifrat e shkëmbimeve tregtare me Serbinë kanë tejkaluar pritjet dhe njëherësh është tregues sa ka vështirësuar taksa tregtinë e lirë në mes këtyre dy shteteve.
“Barrierat nuk i bëjnë nderë proceseve integruese dhe partneritetit të vendeve të rajonit. Është koha kur më tepër të bëhet garë për të eliminuar barrierat, për t’i zhbërë ato. Me heqjen e asaj takse është një frymëmarrje tjetër e bizneseve të Kosovës, ku kemi të rritje të shkëmbimeve tregtare dhe importit të mallrave nga Kosova në Serbi. Prandaj, në këtë drejtim duhet të mësohemi nga e tërë kjo që dialogu nuk ka alternativë, që definitivisht eliminimi i barrierave në interes të biznesit duhet të jetë gjithmonë në funksion dhe nuk fitohet nga populizmi”, thotë Gërxhaliu.
Më 1 prill, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka hequr taksën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, derisa masën ndaj mallrave serbe e ka zëvendësuar me reciprocitet.
Taksa 100 për qind ishte vënë nga qeveria e kaluar në nëntor të vitit 2018.
Që nga ajo kohë është pezulluar dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian në Bruksel.
Shtetet e Bashkuara e kanë kundërshtuar vendimin për të zëvendësuar taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe me masa reciprociteti.
Ambasada amerikane në Prishtinë ka thënë se Kosova, “duhet t’i heqë të gjitha tarifat dhe të mos krijojë barriera të reja, sepse këto politika janë në dëm të qytetarëve të Kosovës dhe janë duke e bllokuar ekonominë e Kosovës”.