Pas nënshkrimit të planit franko-gjerman, ndërkombëtarët mund të kërkojnë kompromise të reja

Prishtinë | 15 Shk 2023 | 07:52 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kosova hyn në një situatë pa shtegdalje, duke e pranuar plani franko-gjerman, në të cilën nuk ka njohje reciproke. Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, ndërkombëtarët mund të kërkojnë sërish kompromise, ka deklaruar analisti politik, Afrim Kasolli.

Ish-deputeti i Vetëvendosjes deklaroi për Ekonomia Online se Qeveria Kurti nuk ka pasur transparencë të plotë në lidhje me dialogun dhe planin e prezantuar nga ndërkombëtarët.

Sipas tij, ekziston rreziku, që pasi nuk ka marrëveshje finale në planin franko-gjerman, procesi negociator do të vazhdojë edhe për shumë vite.

“Ky proces deri tani e ka karakterizuar një mungesë e plotë e transparencës. Kryeministri për herë të parë i bëri të qarta mënyrën se si ka ardhur deri tek ky propozim. Ai tha se i është thënë ‘merre ose lëre këtë marrëveshje’ dhe që Kosova në një farë mënyre është ndodhur përballë një situatë pa shtegdalje. Ai bëri të qartë se kjo marrëveshje nuk e ka në qendër të saj njohjen finale dhe se nuk është marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo tregon që në të ardhmen mund të pritet dhe mund të vazhdohet edhe më tutje procesi negociator ndërmjet dy vendeve deri sa të vijë deri të një marrëveshje përfundimtare”, tha ai për EO.

Kasolli shprehet se pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, ekziston rreziku që për normalizim të marrëdhënieve të kërkohen ende kompromise të reja nga Kosova.

“Kjo më pastaj e lë të hapur derën dhe rrezikun që në rrjedhë e sipër të dialogut, pasi të nënshkruhet edhe kjo marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, të kërkohen edhe kompromise të reja nga Kosova, në mënyrë që të arrihet deri të një marrëveshje finale, e cila nuk po dihet se kur do të arrihet. Pak a shumë këto janë rreziqet me të cilat mund të futet Kosova në një proces të ri të stërzgjatur negociator”, tha ai.

Të ngjashme