Pas protestave të dhunshme, shpallet gjendja emergjente në Los Angeles

Prishtinë | 31 Maj 2020 | 10:22 | Nga Ekonomia Online

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, e ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Los Angeles dhe rrethinën e tij. Kështu thuhet në njoftimin e zyrës së guvernatorit.

Guvernatori gjithashtu e ka autorizuar asistencën për Los Angeles-in pas kërkesës nga autoritetet lokale për dërgimin e pjesëtarëve të Gardës Kombëtare për t’i shpërndarë protestuesit, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.

Më herët, organet e sigurisë kanë shpallur orë policore në disa qytete të Kalifornisë, ndërsa Garda Kombëtare është vënë në gjendje gatishmërie për të ndërhyrë në një kryengritje në San Francisko.

Ora policore në këtë qytet do të jetë në fuqi deri në orën 5 të mëngjesit, bëri të ditur kryetarja e tij, London Breed.

Rreth 25 qytete tjera në pjesë të ndryshme të Shteteve të Bashkuara kanë vendosur orë policore nga e shtuna në mbrëmje deri të dielën në mëngjes, ndërsa në mbi dhjetë shtete është angazhuar Garda Kombëtare.

Shtetet e Bashkuara janë përfshirë nga protestat e dhunshme pas vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd në duart e policisë. Një polic është akuzar për vrasje në lidhje me këtë rast.

Të ngjashme