Pas rastit të foshnjes në Pejë, MSh shkarkon u.d. të kryeinspektorit shëndetësor

Prishtinë | 22 Dhj 2022 | 15:44 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se ka liruar nga detyra ushtruesin e detyrës së kryeinspektorit të Inspektoratit Shëndetësor, Shaban Osmanaj, pas rastit të foshnjes, e cila e vdekur dyshohet se ishte futur në rrobalarëse.

Të enjten e 22 dhjetorit, është liruar nga detyra ushtryesi i detyrës së kryeinspektorit të Inspektoratit Shëndetësor, Shaban Osmanaj.

Kështu ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë përmes një postimi në Facebook.

“Sot pas shqyrtimit të të gjitha të dhënave dhe detajeve të rastit të rëndë të ndodhur në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës është liruar nga detyra u. d. kryeinspektorit të Inspektoratit Shëndetësor, z. Shaban Osmanaj”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se në këtë rast ka dështuar zbatimi i detyrave dhe misionit.

“Konkretisht ka munguar komunikimi, informimi i drejtë dhe mbi të gjitha adresimi në kohë i rastit nga ana e Inspektoriatit Shëndetësor”.

Ministrja e Shëndetësisë ka shprehur keqardhjen më të thellë për familjarët dhe të afërmit që janë ballafaquar me këtë ngjarje tepër të rëndë.

“Ripërsërisim se etika dhe mbrojtja e dinjitetit njerëzor për pacientët e qytetarët në përgjithësi duhet të garantohet në çdo rrethanë nga institucionet shëndetësore. Kush nuk mbërrin ta përmbushë këtë, nuk mund të vijojë të mbajë pozita menaxheriale”.

MSh ndër të tjera ka shprehur mbështetjen për Prokurorinë e Policinë që sa më parë që është e mundshme të ndërmarrin veprimet e duhura drejt zbardhjes së plotë të ngjarjes dhe adresimin e personave përgjegjës konkretë të veshur me këtë përgjegjësi duke theksuar se u. d. Ministrja e Shëndetësisë ka marrë të gjitha hapat për përgjegjësitë administrative dhe çështja po vijon të trajtohet deri në sqarimin përfundimtar.

Kryetari i Odës së Infermierëve dhe Mamive, Naser Rrustemaj ka thënë se nga shtatë punonjësit e suspenduar në Spitalin e Pejës pas rastit të foshnjës e cila dyshohet se ishte futur në rrobalarëse, tri janë mami ndërsa njëra infermiere.

Në mbrëmjen e së mërkurës së 21 dhjetorit shtatë punonjës të Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, janë suspenduar për shkak se dyshohet se një foshnje e pajetë ishte futur në rrobalarëse nga punonjësit e spitalit.

“Spitali i Përgjithshëm në Pejë, me qëllimin që të bëjë hetime të papenguara dhe të detajuara për këtë rast, deri më tani ka suspenduar 7 punonjës dhe është duke zhvilluar procedurat disiplinore me qëllim të zbardhjes së tërë rastit”, thuhej në njoftim.

Rasti i rëndë dyshohet të ketë ndodhur javën e kaluar në Spitalin e Pejës, por është bë publike nga mediet vetëm ditën e djeshme.

Të ngjashme