Jorge Sampaoli është zyrtarizuar si trajner i ekipit kombëtar të Argjentinës. Sampaoli u largua nga klubi i Seviljes, për të zëvendësuar Edgardo Bauza-n në krye të Argjentinës.
Në konferencën e parë për shtyp, trajneri foli edhe për një nga temat më të përfolura të kohëve të fundit, grumbullimin e Mauro Icardit, i cili u injorua në mënyrë të vazhdueshme nga Bauza.
“Icardin e grumbullova, për shkak të formës së mirë që po kalon me klubin e tij, Interin. është një futbollist shumë interesant dhe besoj se do të mund të përshtatet me atë mënyrë lojë që duam të aplikojmë. Ky ekip është kombëtarja e 40 milionë njerëzve dhe ne kemi nën vëzhgim rreth 100 futbollistë, të cilët do t’i thërrasim të japin kontributin e tyre, sa herë që të kemi nevojë”, transmeton “Top Channel”.
Jorge Sampaoli u pyet edhe mbi objektivat e tij në krye të kombëtares, por tha se ekipi duhet t’i marrë gjërat me radhë dhe të mos shpërqëndrohet.
“Si fillim duhet të sigurojmë kualifikimin për në Botërorin e 2018-ës dhe më pas të krijojmë një grup të fortë dhe kompakt, që do të jetë në gjendje të konkurrojë për trofe”, u shpreh Sampaoli.