Gjatë ditës, Gëzim Sveçla, shef i grupit të këshilltarëve të Vetëvendosjes në Komunën e Prishtinës, ka vandalizuar me mikrofonat ne seancë e Kuvendit Komunal, pasi kaloi Buxheti i Kryeqytetit për vitin 2025, raporton Ekonomia Online.
Më pas asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje VV-ja kanë vendosur një baner në hyrje të objektit, në shenjë proteste për projektet që kanë kaluar në Kuvendin Komunal të Prishtinës, duke iu referuar si “Komunë e Devollve”.
Kurse, Sveçla në një konferencë media pas aktit, ka thënë se ai ka qenë një aksioni që s’ka të bëjë me votim të buxhetit por për t’i ndaluar projektet, që sipas tij po e dëmtojnë qytetin.
Në lidhje me këtë, Komuna e Prishtinës ka dënuar ashpër sjelljen e asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, i cili sipas tyre, vandalizoi sallën e Kuvendit Komunal, duke përdhosur institucionin dhe duke sfiduar parimet bazë të demokracisë.
Përmes një komunikate për media, komuna ka thënë se ky akt është ‘një goditje brutale ndaj vlerave tona institucionale dhe një fyerje ndaj qytetarëve që presin nga përfaqësuesit e tyre të mbrojnë dhe avancojnë interesat e përbashkëta, jo të shkatërrojnë atë që u përket të gjithëve’.
Tutje, Komuna e Prishtinës, ka deklaruar se prej muajsh asamblistët e Vetëvendosjes kanë bllokuar çdo iniciativë në të mirë të qytetarëve, duke përfshirë këtu edhe miratimin e buxhetit me qëllim që të krijojnë ngërç dhe të bllokojnë ofrimin e shërbimeve jetike për qytetarët.Komuna e Prishtinës ka kërkuar nga organet e rendit që ta trajtojnë këtë rast me seriozitet maksimal.