Menjëherë pas vendimit të trupit gjykues përmes së cilit katër deputetët e Vetëvendosjes u shpallën fajtorë për hedhjen e gazit lotsjellës, dy nga deputetët e dënuara Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi mbajtën një konferencë për media.
Deputetja Donika Kadaj-Bujupi tha se veprimet e tyre kanë qenë të drejta në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
“Ajo që ka ardhur si vendim i një Gjykate që na ka persekutuar tani e tri vite, sot është finalizuar; është marrë vendimi që ne si deputetë të Kuvendit të Republikës të na shqiptohen dënime me burg mbi 1 vit, me kusht rrjedhimisht. Sidoqoftë një përpjekje që kauzat tona dhe veprimet tona përmes këtij vendimi të trajtohen si veprime ordinere më shumë se sa kauzë politike”, tha ajo.
“Të gjitha vendimet tona në Kuvend kanë qenë të drejta dhe kanë qenë të bazuara në Kushtetutë. Mbrojtëm Republikën, mbrojtëm sovranitetin. Asnjëherë nuk jam ndjerë më e plotësuar në rolin e deputetes, sesa ashtu siç jemi betuar kemi vepruar në mbrojtjen të sovranititit”.
“Nuk është e çuditshme edhe nëse përpiqen të na e pamundësojnë kandidimin për shkak se në krye të shtetit kemi njerëz që kanë kryer krime; po ashtu në gjykatat tona ka individë, në mesin e tyre edhe gjyqtari Kalludra, të cilët për shkak të shantazhit janë të nënshtruar ndaj klanit ‘Pronto'”.
Deputetja tjetër, Albulena Haxhiu, tha se me vendimin e marrë nga trupi gjykues, në krye me gjyqtarin Beqir Kalludra, u dëshmuar “edhe njëherë se sistemi i drejtësisë është i kapur nga shteti”.
Haxhiu shpalljen fajtorë të tyre e konsideroi të padrejtë, absurd dhe politik.
“Përfundimisht edhe sot u dëshmua se nuk dënohen kriminelët e të korruptuarit në Kosovë. Sot ky sistem i kapur i drejtësisë po i dënon aktivistët dhe deputetët që mbrojtën Republikën dhe territorin. E gjithë kjo aktakuzë është një padrejtësi, absurditet dhe është veprim politik. Në asnjërën prej këtyre seancave nuk është dëshmuar se gazi lotsjellës është armë. Ne nuk kemi pasur qëllim kriminal, por gjyqtari Kalludra nuk e ka ndarë qëllimin prej metodës”, u shpreh Haxhiu.
Ajo tha se këtë vendim do ta kundërshtojnë edhe në Gjykatën e Apelit, pasi sipas saj institucionet kanë bërë gjithçka për t’ua pamundësuar rikandidimin si deputetë.
“Është e qartë që qëllimi ishte të na shpallin fajtorë ishte që të frikësohen deputetët . Ne nuk kthehemi në të kaluarën në asnjë rrethanë, por gati i kemi 15 ditë në dispozicion prej kohës kur e marrim këtë vendim për shkak se ne do ta kundërshtojmë edhe në Gjykatën e Apelit këtë absurd, këtë vendim. Është e qartë që kanë bërë gjithçka këto institucione për të na dënuar për të na pamundësuar kandidimin”, tha Haxhiu.
Sot gjatë ditës, deputetët e Vetëvendosjes: Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli u shpallën fajtor për hedhje të gazit lotsjellës dhe pengim të personit zyrtar me 5 vjet e 5 muaj.