Drejtoria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit në Komunën e Prizrenit, të martën, kanë lidhur marrëveshje të bashkëpunimit për pajisjen e fëmijëve me pasaportën e imunizimit, e cila në të njëjtën kohë do të shërbejë si njëri prej kritereve për regjistrimin e nxënësve në klasën e parë të shkollës fillore.
Zyrtarë të lartë të ekzekutivit komunal kanë theksuar se kjo nismë realizohet me qëllim të rritjes së përqindjes së fëmijëve të vaksinuar me kohë. Sipas tyre, inicimi i marrëveshjes realizohet në kuadër të Javës botërore të imunizimit, pa ndonjë ngarkesë shtesë për buxhetin komunal.
“Imunizimi apo vaksinimi ka rëndësi të madhe, ngase mund t’i parandalojë shumë sëmundje që mund të kenë pasoja tek fëmijët. Në të njëjtën kohë është kosto efektive, ngase me shumë pak mjete parandalohen sëmundje që mund të kushtojnë shumë shtrenjtë, si për shëndetin e fëmijëve ashtu edhe në aspektin financiar”, ka thënë kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, shkruan sot Koha Ditore.