“Pashko Vasa 200 vjet”, konferencë shkencore në shtëpinë monumentale të rilindësit të shquar

Prishtinë | 18 Sht 2025 | 21:28 | Nga Ekonomia Online


Në kuadër të 200-vjetorit të lindjes së ideologut të Rilindjes Kombëtare, Pashko Vasa, në shtëpinë e tij monumentale në Shkodër u zhvillua konferenca shkencore kushtuar jetës dhe veprës së këtij personaliteti.

Aktiviteti u organizua nga Bashkia Shkodër në bashkëpunim me Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Bibliotekën Publike “Marin Barleti” dhe Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër.

“Mesazhi është shumë i qartë: ta duam më shumë atdheun tonë. Të bëjmë më të mirën. Të përçojmë mesazhin që jemi të bashkuar, që Shqipëria të ecë më përpara,” tha organizatori Marçel Vasa.

“Ndihem më e re se kurrë. Jam e gëzuar dhe jam shumë e lumtur që po marrin pjesë shumë njerëz e po na nderoni,” u shpreh Luçie Marpali Vasa, trashëgimtare e Pashko Vasës.

Studiuesi Artur Shkurti vuri në dukje aktualitetin e ideve të Vasës dhe mesazhin e tij unifikues për kombin shqiptar.

“Trashëgimia më e madhe që na la Rilindja është ideologjia e tyre sesi sigurohet harmonia fetare. Feja e shqiptarit është shqiptaria,” tha studiuesi Shkurti.

Zëvendëskryetarja e Bashkisë Shkodër u shpreh se nisma e këtij viti jubilar është pjesë e angazhimit institucional për të ruajtur kujtesën dhe trashëgiminë e figurave të Rilindjes Kombëtare.

“Në emër të kryetarit të Bashkisë vendosëm kurora me lule dhe çdo gjë tjetër që është përgatitur sot ka mbështetjen e Bashkisë dhe të organizatave të tjera mbështetëse, familjes,” u shpreh zv.kryetarja e Bashkisë Shkodër, Teuta Qyteza.

Drejtori i DRTK Shkodër, Helidon Sokoli, foli mbi vlerën e ruajtjes së shtëpisë-muze si një pasuri kulturore e rrallë për qytetin.

“Ndodhemi pikërisht në banesën e tij, e cila është shpallur monument kulture në vitin 1968. Është një mesazh i mirë ky, që i jepet edhe qytetarëve, komunitetit, në lidhje me mbrojtjen e pasurisë kulturore,” tha z. Sokoli.

Në mjediset e shtëpisë-muze u ekspozuan edhe dokumente historike mbi jetën e Pashko Vasës, duke i dhën ë aktivitetit një dimension të veçantë përkujtimor.

Ky aktivitet është pjesë e një programi të gjerë përkujtimor që nisi me homazhet pranë vendit ku prehet patrioti i shquar Pashko Vasa, në Varrezat e Dëshmorëve në Shkodër, për të vijuar me veprimtari të tjera përgjatë gjithë ditës.

Të ngjashme