Pasi Kurti e pranoi propozimin e BE-së, Lajçak paralajmëron takime të niveleve të larta

Prishtinë | 07 Shk 2023 | 07:36 | Nga Ekonomia Online

Veç pak orë pas takimeve që pati me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak ka dalë me një tweet të shkurtër.

Ka lënë të kuptohet që pasi Kosova e pranoi propozimin e EU, do ketë takime të niveleve të larta.

“Udhëtova për në Prishtinë për të takuar kryeministrin Albin Kurti dhe Besnik Bislimin. Edhe në Beograd bëra të njëjtën gjë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe Petar Petkoviqin. Më vjen mirë që edhe Kosova tani e pranoi në parim Propozimin e EU. Ne do të vazhdojmë diskutimet tona në një takim të nivelit të lartë”, ka shkruar Lajçak.

Dje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për takimin që pati sot me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Kurti në një postim në Tëitter ka shkruar se Kosova e pranon propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Shkëmbim i mirë me të dërguarin special të BE-së Miroslav Lajçak gjatë një drekë pune në Prishtinë. Ne e pranojmë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”, ka shkruar Kurti.

Kurti thotë se ka pyetje të rëndësishme rreth këtij plani e të cilar do t’i adresojë në Bruksel.

“Pyetje të rëndësishme mbi garancën ndërkombëtare, mekanizmat zbatues dhe periudhën kohore do të adresohen së shpejti në bisedimet në Bruksel. Konceptet demokratike të orientimit evropian na japin shpresë”, ka shkruar Kurti.

Lajçak, pas Kosovës ka udhëtuar drejt Serbisë, ku është pritur nga presidenti Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Instagram” ka njoftuar se takimi me Lajçak ka qenë i hapur dhe kanë pasur biseda miqësore lidhur me dialogun.

“Një bisedë e hapur dhe miqësore me Miroslav Lajçak. Kur them hapur, këtë e them vërtet. Më kuptuat të gjithë. Rroftë Serbia!”, ka shkruar Vuçiq.

Të ngjashme