Rrëfimi për kohën kur hapësirat private në Kosovë ishin shndërruar në publike tashmë është gati. Kosova ka finalizuar Pavijonin e saj në edicionin e sivjetmë të Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia.
Një shtëpi e papërfunduar për nga pamja e jashtme, e ndërtuar me tulla të kuqe, por me hapësira publike brenda saj, do të jetë konstruksioni i shtetit më të ri të Evropës në këtë ngjarje. Çatia e shtëpisë do të ndërtohet nga satelitët. Hapja zyrtare e Pavijonit do të bëhet sot (e enjte) në orën 14:15 në hapësirën ekspozuese në Arsenale.
Komisarja e Kosovës në këtë ngjarje, Jehona Shyti, njëherësh këshilltare e ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, të mërkurën ka thënë se tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet për hapjen zyrtare të Pavijonit në edicionin e 16-të të Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës. Shyti ka thënë se pas një pune të gjatë dhe serioze të të gjithë ekipit të angazhuar, Pavijoni i Kosovës me titullin “The city is everywhere” (Qyteti është gjithandej) ka marrë formën e vet.
“Jam e lumtur që përmes projektit tonë të Pavijonit të Kosovës, në kuadër të temës së përgjithshme të Bienales së Venecias ‘Freespace’ ne po sjellim para botës një rrëfim unik të Kosovës, ku pasqyrohet rezistenca sociale e shqiptarëve të Kosovës, solidariteti dhe vetëdija e lartë qytetare për të ruajtur identitetin kombëtar, kulturor, gjuhësor e social gjatë viteve ‘90”, ka thënë ajo.
Kësisoj Kosova nëpërmjet arkitektes Eliza Hoxha, këtë vit do të prezantohet me hapësira kolektive të viteve ’90, kur shtëpitë ishin kthyer në ambiente të ngjarjeve të ndryshme ose në një qytet të vogël, kur shqiptarët ishin dëbuar nga institucionet. Por shtëpia e shtetit më të ri të Evropës që si ekspozitë është titulluar, komunikon fort edhe me gjendjen aktuale. Qytetarët e Kosovës janë të vetmit që nuk mund të lëvizin lirshëm pa viza dhe sillen brenda shtetit të tyre. Kjo është hera e tretë që Kosova merr pjesë në ngjarjen më të madhe të arkitekturës në botë.
Me izolimin e kufijtë u mor edhe Flaka Haliti në “Spekulim në të kaltër”. Vitin e kaluar Sislaj Xhafa me “E humbur dhe e gjetur” ngriti zërin për të pagjeturit nga lufta e fundit në Kosovë.