Zyrtarë të partisë opozitare në Podujevë, PDK, thonë se buxheti për vitin 2019 i kësaj komune nuk parasheh zhvillim ekonomik. Shefi i Grupit të këshilltarëve të kësaj partie, Rafet Llapashtica, ka theksuar se shumica e buxhetit për projekte kapitale shkon për gypa të kanalizimit.
Ka thënë se kur është diskutuar projektbuxheti kanë pasur kërkesa që mjetet të shpërndahen në të gjitha pjesët, që qytetarëve t’u mundësohet një jetë më e mirë, por që nuk janë marrë parasysh nga ana e ekzekutivit të Podujevës. Për këtë thotë se kanë abstenuar në ditën kur ishte miratuar, shkruan sot Koha Ditore.
“Partia Demokratike ka abstenuar në votim në Kuvend për buxhetin 2019. Po ta shihni dokumentin e propozuar nga kryetari i Komunës, z.Veliu për buxhetin 2019 është një dokument i cili shihet vetëm si një ‘copy paste’ i viteve të mëhershme, i cili më së pakti paraqet një projekt zhvillues dhe në interes të qytetarëve të Podujevës”, është shprehur Rafet Llapashtica.