Partia Demokratike e Kosovë, në një konferencë për medie, e ka vlerësuar si të mirë procesin e deritanishëm zgjedhor. Kjo parti, e cila garon në 10 komuna në balotazh, iu ka bërë thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.
Deputetja dhe anëtarja e Kryesisë së PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, shprehu besimin se qytetarët anekënd vendit do t’i zgjedhin kryetarët kandidatët që përfaqësojnë dhe përqafojnë unitetin qytetar.
Ajo tha se, sipas informacioneve nga terreni, procesi zgjedhor po zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe të qetë.
“Sipas informacioneve nga terreni, procesi zgjedhor po zhvillohet në mënyë të rregullt dhe të qetë. Ftojmë të gjithë qytetarët tanë që të dalin masivisht për t’iu përgjigjur obligimit qytetar, që t’i votojnë për kryetarë kandidatët më të mirë dhe unifikues, që përfaqësojnë dhe përqafojnë unitetin qytetar, nga Prizreni në Mitrovicë, nga Rahoveci e deri në Vushtrri, e anekënd vendit”, ka thënë Deliu-Kodra.
Ajo theksoi se qytetarët në të gjitha komunat do të dinë t’i votojnë kandidatët më të mirë që do t’i udhëheqin komunat e tyre në katër vjetët e ardhshëm.
“Pra, gjashtë orë para mbylljes së vendvotimeve, ftojmë që qytetarët tanë të vazhdojnë të votojnë në numër sa më të madh, që të kontribuojnë për një të ardhme të ndritshme dhe rritje të mirëqenies së qytetarëve të komunave të tyre”, ka thënë Deliu-Kodra para gazetarëve të mbledhur.