Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) nuk ka vendosur përfundimisht se kush do të jenë ministrat e rinj në Qeverinë Haradinaj, raporton Ekonomia Online.
Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë, ka deklaruar se sot gjatë ditës kryetari Kadri Veseli do të japë propozimet dhe pastaj do të vendosë Kryesia e partisë.
Madje, Hoxhaj tha se në mbledhjen e sotme nuk është diskutuar për emra konkretë, por për atë se çfarë duhet të bëjë Qeveria e ardhshme e Kosovës.
Sipas tij, është diskutuar që Qeveria e ardhshme të ketë një program me disa prioritete të qarta, të ketë disa qëllime strategjike pasi vendi është në një fazë të shtet-ndërtimit.
“Sot nuk ka pasur asnjë debat për asnjë emër të ministrave. Kemi folur për profilin e tyre dhe prioritetet që do t’i ketë Qeveria e ardhshme. Është mandati i kryetarit të PDK-së, që të dal me disa emra, pastaj Kryesia e voton, sot gjatë ditës”, tha Hoxhaj.
Hoxhaj: Do ta mbështesim secilin propozim të Haradinajt për demarkacionin
Hoxhaj ka thënë se për demarkacionin me Malin e Zi tha kur situatë janë komplekse ne duhet me gjet zgjidhje “dhe nuk duhet të mundohemi të komplikojmë ato”.
“Unë nuk mund të ju them për Demarkacionin por një gjë mund të ju them se kjo nuk është temë ndërshtetërore e mes Kosovës dhe Malit të Zi. Kjo ka qenë temë e politikë së brendshme dhe është e politikës së brendshme dhe qeveria e re duhet të emëroj”.
“Çdo qasje e kryeministrit Haradinaj do të ketë përkrahjen e Partisë Demokratike të Kosovës. Por është e pastaj edhe cështje e ekspertëve ne jemi këtu që të ofrojmë zgjidhje. Është e pakuptimtë është në vitin 2017 që ne ende të presim për lëvizje të lirë të qytetarëve”.