Ideja e deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Adem Salihaj qe të bëhët ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi, duke ia shtuar një aneks në të cilin kërkohet që ky proces të rishikohet pas një kohe ka gjetur përkrahjen e Kryeministrit Isa Mustafa por jo edhe të deputetëve të koalicionit qeverisës.
Deputeti i PDK-së Shukri Buja ka thënë se kjo iniciativë e deputetëve të LDK-së është vetëm një tentim për t’i zgjatur mandatin Isa Mustafës në krye të Qeverisë së Kosovës.
“Ideja e deputetëve të LDK-së nuk është e re sepse në gusht të vitit të kaluar unë dhe Shaip Muja e kemi shtruar këtë ide në mbledhjen e këshillit drejtues të PDK-së, që të bahet demarkimi i kufirit në pjesë në të cilën nuk kemi konteste dhe ta lëmë të hapur çështjen e pikave kontestuese”, ka thënë ai.
Sipas Bujës ideja ka qenë që këto konteste të hapura për të cilat ka protestuar edhe opozita siç është pika te kulla e Zhlebit dhe Qakorrit, të lihen në rishqyrtim me Malin e Zi.
“Por kjo ide ka hasur në vesh të shurdhër që një vit, ndërsa tani shtrohet nga deputetët e LDK-së në momentin kur ky koalicion qeverisës është në fundin e tij. Si duket kjo është një lojë politike për t’i zgjatur mandatin Isa Musafës në postin e kryeministrit.
Ideja e deputeteve te LDK–së në fakt është ide e Isa Mustafës e dhënë në Bruksel si lojë politike për shtyrje të kushtit të BE-së për dy vite për demarkacionin, ide qe është modifikuar apo me drejtë thënë kamufluar në emër të disa deputeteve për të mashtruar deputetët dhe për t’ia zgjatur mandatin vetvetes”, ka thënë Buja.