Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka mbajtur sot takimin e vet të rregullt, ku është diskutuar rreth përgatitjeve dhe organizimit për zgjedhjet lokale që do mbahen më 22 tetor të këtij viti.
Në fjalën e tij para anëtarëve të Këshillit Drejtues, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka theksuar se secili anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës duhet të jetë krenar me punën dhe sukseset e shtetit të Kosovës gjatë qeverisjes së PDK-së.
“PDK është themeli i shtetësisë sonë, forca e ndryshimit të kombit shqiptar, me rezultate të pamatshme larg nga çdo parti tjetër ekzistuese, garancë sovraniteti, stabiliteti, partneriteti, tolerance dhe zhvillimi të këtij vendi”, ka thënë kryetari Veseli.
Ai tha se Partia Demokratike është e përgatitur dhe po vazhdon përgatitjen për zgjedhjet lokale. Ai tha se PDK do të vazhdojë takimet me cdo qytetar të Repubikës së Kosovës, në cdo rrugicë, hyrje, banese, lagje, fshat, qytet të Kosovës, për të bashkëbiseduar dhe ndërtuar së bashku programin qeverisës në komunat e Republikës së Kosovës.
Në këtë takim, gjatë diskutimeve të anëtarëve të Këshillit Drejtues, u theksua përkushtimi i secilit anëtar të PDK-së, për angazhimin maksimal për ruajtjen dhe fuqizimin e vlerave shtetërore dhe demokratike.
Anëtarët e Këshillit Drejtues ritheksuan bindjen e tyre të plotë për fitore në zgjedhjet lokale, duke ofruar programin në pajtim me nevojat e qytetarëve, kandidatët më të mirë për Kuvende Komunale dhe kandidatët më përfaqësues të PDK-së dhe vizionit të saj për udhëheqjen komunale.