Partia Demokratike e Kosovës ka përmes një komunikate për media ka thënë se lufta e UÇK-së është e drejt dhe se pjesëtarët e saj të ftuar nga Gjykata Speciale do të dëshmojnë për këtë.
Deklarata e plotë:
Partia Demokratike e Kosovës, beson përjetësisht në kauzën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në njerëzit e saj, të cilët ishin të gatshëm të japin gjithçka nga vetja e tyre, për lirinë e popullit, për shtetin e Kosovës.
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Rrustem Mustafa dhe Kryetari i degës së PDK-së në Skënderaj, Sami Lushtaku edhe sot iu përgjigjen ftesave të drejtësisë, për të dëshmuar mbi luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës, vlerëson se ky veprim është edhe një dëshmi më shumë për gatishmërinë e secilit pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’iu përgjigjur çdo pretendimi, nga kudo që e ka burimin.
Gjykata Speciale, është një e re e zezë mbi Kosovën, por është e përkohshme dhe beteja e radhës që do ta fitojë Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
E vërteta do të triumfojë edhe një herë në Hagë, siç ka ndodhur në të kaluarën. Dhe e vërteta e vetme e luftës sonë është mbrojtja e popullit, lufta për liri dhe drejtësi, kundër një pushteti vrastar të Serbisë.
Partia Demokratike e Kosovës, do të jetë gjithmonë përkrah vlerave të UÇK-së, pjesëtarëve të saj dhe përherë do të jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me drejtësinë.
Lufta e UÇK-së është e shenjtë, shteti i Kosovës është i shenjtë, e ardhmja e fëmijëve tanë është e shenjtë.