Partia Demokratike e Kosovës sot ka hapur fushatën në Komunën e Prishtinës për zgjedhjet e 9 shkurtit, raporton Ekonomia Online.
Në fjalimin e tij, kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, theksoi fillimin e fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit, duke shprehur besimin në fitoren e madhe të PDK-së.
Ai e përshkroi këtë fushatë si një “festë”, duke shtuar se më 9 shkurt, pas zgjedhjeve, do të bëhet formimi i një Kuvendi të ri dhe një Qeverie të re, që do të sigurojë një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës.
Krasniqi shprehu besimin se Kosova ka nevojë për një qeverisje të re dhe se kjo mund të arrihet vetëm me Bedri Hamzën në krye.
“Festën që po e nisim sot do ta përmbyllim bashkë në mbrëmjen e 9 shkurtit anembanë Kosovës, ku do të mblidhmi përsëri për fitoren e madhe të PDK-së. Pas një muaji do ta zgjidhim një kuvend të ri dhe pas kuvendit Kosova do ta ketë një qeverisje të re. Jam i bindur që do të jetë një rezultat i një qeverie të re. Kosova meriton dhe mundet ma mirë ku çdo qytetarë mund të jetoj dinjitet dhe më mirë të cilët do ta bëjë Bedri Hamza me ekipin e tij. Sot qëndroj para jush për t’iu siguruar se ne ofrojmë një program komplet dhe të realizueshëm i cili do të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve për ta bërë Kosovën më të mirë, kjo është arsye pse e zgjodhëm Bedri Hamzën. Bedri Hamza është kryeministri më i mirë që mund ta ketë Kosova sot”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai theksoi se Hamza dhe ekipi i tij janë ata që mund të sjellin ndryshime të dukshme dhe përmirësim të cilësisë së jetës për qytetarët e Kosovës.
“Qytetarët kërkojnë që persona që tu besojnë dhe Kuvendi dhe Qeveria e re do të jenë shumë më të mira se këto që i kemi sot. Rrugëtimi ynë politikë nuk ka qenë fare e lehtë por i kemi tejkaluar të gjitha furtunat. Sidoqoftë ja ku jemi sot më të fortë. PDK-ja është e fuqishme testament i qëndrueshmërisë dhe guximit dhe adaptimit për ndryshimin e mirë të vendit. I nderojmë dhe i përshëndesim udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që janë në Hagë, Hashim Thaqi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi”, ka theksuar ai.
Krasniqi, nga Salla “1 Tetori” në Prishtinë, ka përshëndetur dy liderët e UÇK-së dhe PDK-së, Hashim Thaçin e Kadri Veselin, si dhe Jakup Krasniqin e Rexhep Selimi dhe shokët e tyre që po zhvillojnë betejën e fundit në Hagë për drejtësinë e luftës çlirimtare të popullit tonë.
“E di që sikur mua, po ju mungojnë shumë secilit prej jush, e mezi po e presim rikthimin e tyre në Kosovë, pranë familjeve e miqve, por, deri atëherë, le t’ua bëjmë një premtim. Kosovën do ta bëjmë ma të mirë, sepse kjo është ajo që ne bëjmë dhe kemi bërë gjithmonë. Partia Demokratike e Kosovës është gati për këtë detyrë. Partia Demokratike e Kosovës është gati për fitore”, tha Krasniqi.