PDK-ja e bindur se i ka votat për Veselin kryeparlamentar

Prishtinë | 24 Kor 2017 | 16:31 | Nga

Në Partinë Demokratike të Kosovës, nuk e vejnë në dyshim sigurimin e votave të nevojshme për zgjedhjen e Kadri Veselit në postin e kryetarit të Kuvendit.

Në këtë parti thonë se ky është problemi më i vogël. Blerta Deliu nga ky subjekt, thotë se nuk është temë çështja e sigurimit të votave për Kadri Veselin.

“Sigurimi i votave për kryetar të Kuvendit është çështja më e vogël për z. Veseli. Orientimi është qe seanca konstituive të shkoj siç duhet dhe fokusi ynë do të jetë organizimi sa më i mirë i PDK-së në ketë seancë. Nuk është mendoj temë çështja e votave për Veselin”, ka thënë Blerta Deliu për ‘Indeksonline’.

Ajo thotë se PDK ende nuk ka vendos përfundimisht se kush do të jetë kandidat për kryetar të Kuvendit.

“Ne ende nuk e kemi diskutuar brenda partisë çështjen e kryetarit të Kuvendit. Besoj se kjo javë do të jetë vendimtare për caktimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit. Krejt kjo mbetet në vullnetin e kryetarit të partisë tonë nëse ka vullnet ta drejtoj edhe një mandat Kuvendin”, ka shtuar ajo.

E pyetur, nëse po të njëjtën ditë do të mbahet seanca për votimin e Qeverisë, deputetja e PDK-së ka thënë se kjo nuk është diskutuar ende.

“Është lajm i mirë qe kemi një datë për mbajtje të seancës. Besoj se brenda këtyre ditëve do të kemi regjistrimin e deputetëve në Kuvend. Të gjitha tjerat janë çështje administrative qe do të vendosen ditët në vijim”, ka përfunduar ajo.

Në anën tjetër, Vetëvendosje ka paralajmëruar se nuk do të votoj në asnjë variant Veselin për kryeparlamentar. Ndërsa, LDK ende nuk ka vendim të prerë.

Dështimi eventual për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nuk e çon vendin në zgjedhje të parakohshme.

Të ngjashme