Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu ka thënë se PDK-ja, do të marr pjesë në seancë vetëm atëherë kur të ketë frymë institucionale.
“Partia Demokratike e Kosovës e ka dëshmuar gjithmonë që është partia më institucionale dhe më e përgjegjshme ndaj interesave të shtetit të Kosovës. Prandaj PDK do të jap maksimumin për të ndërtuar sa më shpejtë institucionet dhe për ta kthyer vendin në normalitet në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe vullnetin e popullit. Janë të tjerë ata që për interesa të ngushta partiake kanë bllokuar institucionet për gjashtë muaj rresht në vitin 2014 duke shkelur edhe Kushtetutën e vendit”, tha Deliu.
“Po ashtu qytetarët e dinë mirë se cilët janë aktorët politik në Kosovë të cilët jo vetëm i kanë bllokuar por edhe i kanë sulmuar institucionet me Molotov, gaz lotsjellës dhe zollë. Ne nuk do të pranojmë që asnjë parti të na imponohet apo të na detyrojë që të bëhemi pjesë të agjendës së saj. Ne na vjen keq që kryesuesi i seancës konstituese të instrumentalizohej politikisht nga partia e tij duke mos u dëshmuar në lartësinë e detyrës”, u shpreh ajo.
“Ne jemi të vendosur për të vijuar seancën konstituive, pasi të arrihet një frymë mirëkuptimi nëpërmjet konsultimeve partiake paraprake. Prandaj PDK bën thirrje për t’iu kthyer sa më shpejt frymës institucionale dhe ligjore në mënyrë që të ndërtojmë institucione demokratike sa më të shëndosha të mbështetur në frymën e ligjit”.
Në orën 10:00, PDK ka mbajtur një mbledhje të partisë, në të cilën gjithashtu u tha se u diskutua edhe për zgjedhjet lokale.