Zyrtarët e Degës së PDK-së në Fushë-Kosovë kanë kritikuar komunarët për neglizhencë dhe papërgjegjësi për të zgjidhur problemin e vërshimeve të ujit në një lagje në fshatin Bresje, afër objektit të ri të administratës. Ata kanë thënë se banorët e kësaj pjese ballafaqohen me këtë problem për më shumë se 10 vjet.
“Dega e PDK-së në Fushë-Kosovë ka reaguar sot në lidhje me gjendjen e krijuar në Fushë- Kosovë si pasojë e reshjeve të shiut, përkatësisht lidhur me gjendjen në lagjen Bresje, ku ekziston një problem i kahershëm në këtë pjesë për shkak të bllokimit të kanalizimit. Ujërat e zeza dalin në sipërfaqe e në këtë kohë me reshje shiu situata është bërë dramatike. Uji i shiut me ato të ujërave të zeza ka vërshuar në rrugën krejt afër objektit të komunës”, thuhet në komunikatë.
Deklaratat e zyrtarëve të komunës për zgjidhjen e këtij problemi, PDK-ja i ka quajtur si arsyetim për të mbuluar neglizhencën dhe përgjegjësinë, pasi sipas tyre, kjo çështje ka 10 vjet që është problem dhe askush nuk ka ndërmarrë asgjë.
Në anën tjetër, drejtori për Shërbime Publike, Maliq Berisha, i ka thënë KOHËS se problemi i daljes së ujit është për shkak se niveli i gypit nuk është në pozicionin e duhur. Ai nëpërmjet telefonit ka thënë se përderisa nuk vendoset një gyp i një diametri më të madh, do të ketë problem sa herë që ka reshje më shumë.
“Kur është ndërtuar autostrada është vendosur një gyp që nuk i plotëson nevojat dhe nuk po mund të absorbojë ujin. Çdo mbeturinë aty mund të bllokojë kanalin edhe po na nxjerr telashe në pjesën përballë komunës. Ne sivjet i kemi bërë dy intervenime, te kisha e kemi pastruar gypin dhe e kemi bërë nj; bajpass në pjesën kah Ambulanca, por përderisa nuk bëhet vendosja e një gypi të diametrit më të madh ka me qenë problem tërë kohën. Po defekti që na përcjell është pozicioni i kanalizimit”, ka theksuar Maliq Berisha.
Sipas tij, gjatë ditës së premte në Komunën e Fushë-Kosovë nuk ka pasur vërshime nga lumenjtë, por vetëm bllokim të kanalizimeve.
“Kryesisht bllokim të kanalizimeve ka pasur në Fushë-Kosovë në pjesën e Grajçevcëve, në fshatrat Henc, Miradi e Epërme, në Bardh. Por, nuk kemi pasur hyrje të ujit nëpër objekte të banimit. Ne vazhdimisht e kemi angazhuar një kompani private për pastrimin e mirëmbajtjen e kanalizimit, kryesisht në qytet se qyteti është më i atakuar. Por, këtë vit për shkak të procedurave të prokurimit nuk kemi mundur me lidhë kontratë, qe tri herë e kemi shpallë tenderin, por kompanitë bëjnë ankesë dhe kjo po na vonon”, ka thënë drejtori për Shërbime Publike.
Maiq Berisha thotë se si Drejtori e Shërbimeve Publike e kanë në përgjegjësi vetëm mirëmbajtjen rrjetit të kanalizimit, ndërsa ajo e Urbanizmit e ndërton rrjetin.
“Pjesa e vjetër e qytetit ka sistem të kanalizimit nga vitet ’80 që duhet me ndërrua komplet”, ka thënë ai.