PDK-ja ndodhet para një sprove ekzistenciale politike

Prishtinë | 16 Sht 2023 | 10:45 | Nga Afrim Kasolli

A po shndërrohet PDK-ja në një strukturë ilegale nga frika prej demokracisë?

Sa është demokratike një parti politike e dëshmon më së miri aftësia e saj për t’i respektuar rregullat e brendshme dhe dokumentet partiake. Sepse, ato e formojnë kushtetuten e brendshme të një formacioni politik. Shpërfillja e tyre e bënë atë një karikaturë të demokracise. Për më tepër, një parti nuk mund ta konsiderojë vetën as si alternativë demokratike ndaj oponentëve të saj, nëse nuk e respekton demokracinë e brendshme dhe e mban peng vullnetin politik të anëtërsisë së saj. Sidomos nëse është opozitë. Sepse, në këtë mënyre ajo dëshmon se çfare do të jetë nesër stili i saj qeverisës.

Në këtë drejtim, sot PDK-ja ndodhet para kësaj sprovë ekzistenciale politike. Sipas statutit të saj, përkatësisht nenit 96 mbi zgjedhjet, pikës 3 dhe 4 “Të gjitha organet e PDK-së i nënshtrohen procesit zgjedhor çdo katër vjet. Zgjedhjet mbahen në raunde të ndara, fillimisht për organet lokale, pastaj për ato qendrore dhe organet e tjera, ashtu siç është e paraparë me këtë Statut”.

Ky dokument tregon qartë se shumë prej strukturave kryesore të kësaj partie janë pa mandat dhe legjitimitet. Ndërkohë, fillimi i procesit të brendshëm zgjedhor as që po duket në horizont. Askush nuk flet për detyrimin për ta respektuar Kushtetutën e Partisë. Pra demokracia e brendshme është shndërruar në një temë tabu në këtë subjekt politik. Për më tepër, vazhdimi i kësaj gjendjeje është legalizim i ilegalitetit. Sepse shumica e kryetarëve të degëve e nëndegeve tashmë janë ilegalë. Ata nuk e përfaqësojnë vullnetin e askujt. Sepse këtij vullneti i ka skaduar afati statutor. Ata mund ta përfaqësojnë vetëm vetveten dhe vullnetin e atyre që kanë interes ta mbajnë peng vullnetin e shumicës.

Kjo pengmarrje politike nga klani Bon Vivant tregon se sa joserioze është po ashtu edhe kërkesa e tyre për mbajtje të zgjedhjeve te parakohëshme në nivel nacional. Madje me sa di unë, sipas rregullave të KQZ, kësaj partie nuk mund t’i lejohet as pjesëmarrja në zgjedhje të përgjithshme nëse eventualisht ato mbahen, nëse ajo nuk i respekton paraprakisht këto detyrime.

Një parti që e ka frikë demokracinë e brendshme nuk mund të jetë shembull i asaj shoqërore. Por mbase ky edhe mund të jete kalkulimi i këtij grupi drejtues, që të shkohet fillimisht ne zgjedhje nacionale, me shpresën se pas tyre do të mund të bëhen pjesë e ndonjë formule në ndarjen e pushtetit. Dhe atëherë nga ky pozicion ta inskenojnë një farsë zgjedhore, ashtu sikur patën bërë në zgjedhjen e kryetarit, dhe në këtë mënyrë ta kenë më te lehtë ta kontrrollojnë procesin, për t’i menaxhuar më lehtë pakanqësitë edhe për ta favorizuar klientelën e tyre luajale. E ta riftitojnë nëpërmjet pushtetit, interesave dhe procedurave ilegale, atë që nuk munden ta sigurojnë nëpërmjet luftës se ideve dhe demokracisë së brendshme.

Në këtë kontekst, është detyrë e bazës partiake por të mos e lejuar këtë skenar. Ajo duhet ta dëshmojë se vullneti i saj për demokraci eshte mbi çdo kalkulim tjetër. Dhe se ky vullnet është gardiani i sigurt i kësaj partie. Dhe shndërrimi i këtij gjykimi politik nesër në agjent të ndryshimeve të domosdoshme shoqërore.

Të ngjashme