Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka publikuar raportet e saj financiare, sipas premtimit që e ka bërë një ditë më parë kryetari i partisë, Kadri Veseli.
Buxheti i Partisë Demokratike të Kosovës është ndarë nga Fondi për Demokratizim, që është në kuadër të buxhetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe u ndahet të gjitha subjekteve parlamentare sipas numrit të deputetëve.
PDK-ja thotë se që nga themelimi e deri më tash, i ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të gjitha raportet financiare.
Në një komunikatë për medie, kjo parti ka bashkëngjitur katër raportet, të ndara në tremujore, për buxhetin e vitit 2015.
Sipas afateve ligjore, PDK-ja paralajmëron se do t’i publikojë raportet financiare të vitit 2016 më së largu deri më 31 mars të këtij viti.