Kaskada bërlloku janë bërë mbi lumin Llap në pjesën e qytetit të Podujevës. Pas pastrimit të shtratit, kompania e kontraktuar nga Komuna ka vendosur kaskada për shkak të ujit të cekët gjatë verës. Por ato janë bërë bashkë me bërllok.
Zyrtarët opozitarë i kanë quajtur turp këto kaskada bërlloku. Këshilltari i PDK-së, Rafet Llapashtica, ka thënë se kështu nuk ndodh askund, pos në Kosovë e Podujevë, shkruan sot Koha Ditore.
“Kaskadat me bërllok në lumin Llap edhe në të kaluarën kompanitë e angazhuara nga Komuna e Podujevës nuk i kanë larguar mbeturinat nga lumi, por vetëm i kanë tubuar dhe me to kanë ngritur kaskada. Kjo askund nuk mund të ndodhë në një shtet apo komunë tjetër, pos në Kosovë dhe Komunën e Podujevës. Nuk do më shumë koment kjo çështje, më shumë se një turp është kjo”, ka theksuar këshilltari Llapashtica.
Në anën tjetër, zyrtarët komunalë të Podujevës kanë thënë se kaskadat janë bërë vetëm gjatë kohës së verës dhe se mbeturinat hiqen vazhdimisht.