PDK kërkon që në Prizren të ngritet shtatorja e Adem Jasharit dhe 5 komandantëve tjerë të UÇK-së

Prizren | 20 Maj 2018 | 15:47 | Nga

Partia Demokratike e Kosovës kërkon nga komuna e Prizrenit që të fillojë procedurat për ngritjen e shtatoreve të komdandatëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Jashari, Ekrem Rexha, Tahir Sinani, Hysen Rexhepi, Agim Shala, Skender Rexhepi, transmeton Ekonomia Online.

Përmes një komunikate për medie nga dega e PDK-së në Prizren, thotë se roli i këtyre komandantëve në luftën për liri të UÇK-së ishte emblematik në betejat e rezistencës kombëtare.

PDK kërkon që në në seancën e radhës të Kuvendit Komunal të propozohen lokacionet për vendosjen e këtyre shtatoreve.

“PDK, Dega në Prizren, kërkon nga kryetari i Komunës së Prizrenit që në seancën e radhës të propozohen lokacionet për vendosjen e përmendoreve në bashkëpunim më Shoqatat e Dala nga Lufta që veprojnë në qytetin tonë dhe të njëjtat ti kthejë për miratim në seancë të Kuvendit Komunal. Grupi i Kuvendarëve të PDK –së do të jetë aktiv në përmbushjen e kërkesave për ngritjen e përmendoreve”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, PDK është vazhduese e vlerave të luftës çlirimtare dhe në kontinuitet angazhohet për promovimin e këtyre vlerave duke forcuar shtetin e Kosovës.

“Marrë për bazë që vlerat e luftës çlirimtare janë themeli i lirisë dhe i shtetit të Kosovës, Partia Demokratike është e angazhuar për promovimin e vlerave dhe ruajtjen e përkujdesin për Dëshmorët, Veteranët, Invalidët dhe të gjitha kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së. Në përputhje më këto vlera, në përkushtim të ruajtjes së kujtesës sonë historike, për brezat dhe për amanetin e të rënëve kërkon nga kryetari i Komunës së Prizrenit nisjen e proceduarave për ngritjen e këtyre shtatoreve”, thuhet në komunikatë.

 

 

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme