Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës i kanë kërkuar kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit, që të thërrasë vazhdimin e seancës më 28 gusht në ora 11:00.
Në kërkesën e nënshkruar nga deputetja dhe sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, thuhet se Kuvendi duhet të përmbushë obligimin kushtetues dhe procedural për konstituimin e tij.
PDK e konsideron moskonstituimin e Kuvendit si situatë të rëndë të shkaktuar nga shkelja e Kushtetutës dhe mosrespektimi i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Në dokument, Çitaku thekson se kryesuesi i seancës ka për detyrë të respektojë Kushtetutën, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregulloren e Kuvendit, duke kërkuar që të mos pengohet më tej procesi i konstituimit.
“Ju rikujtojmë se roli juaj si kryesues i seancës konstituive sipas moshës është i përcaktuar dhe i kufizuar nga Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit”, thuhet në kërkesë.
PDK kërkon që, pa vonesa të mëtejshme, të thirret vazhdimi i seancës konstituive më 28 gusht dhe të mundësohet ushtrimi i mandatit kushtetues të deputetëve të zgjedhur.