Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i jep mbështetje të parezervë nismës së presidentit Hashim Thaçi për ndryshimin e ligjit të FSK-së.
Anëtari i kryesisë së PDK-së, Agim Çeku, ka thënë se me këtë vendim të presidentit i cili dorëzoi Projektligjin në Kuvend, Kosovën do ta bëjnë më të sigurt se që ka qenë deri më tani, raporton Ekonomia Online.
“PDK si partia më e madhe i ka mbështetur gjithmonë të gjitha projektet që çojnë drejt fuqizimit të Kosovës. Andaj PDK i jep mbështetje të parezervë nisjes së presidentit për ndryshimin e ligjit të FSK në një forcë ushtarake. PDK mendon se Thaçi u është përgjigjur obligimeve të veta si president dhe si komandant suprem i FSK-së”, ka thënë ai.
“Së shpejti Kosova do ta ketë ushtrinë e vet. U është përgjigjur kërkesave të nevojave të kohës dhe e ka vlerësuar drejtë situatën e sigurisë në rajon dhe më gjerë. Presidenti dhe ne që e mbështesim këtë iniciativë, me këtë i jemi përgjigjur edhe spektrit polik serb qe vazhdimisht po e bllokojnë FSK-në”, ka thënë Çeku.
Sipas tij, kjo vendosmëri është përgjigja më e mirë, pasi që nuk kanë nevojë të pyesin Serbinë për asgjë.
“Ne nuk kemi nevojë ta pyesim Serbinë për asgjë. Presidenti edhe njëherë dëshmoi vizion, guxim dhe gatishmëri për të marrë përgjegjësi për veprimet e veta. Ky vendim i shpejtë Kosovën do ta bëjë më të sigurt, më të barabartë me të tjerët dhe më krenare. I siguroj të gjithë se PDK-ja do të angazhohet gjatë procedimit të ligjit që ta kemi një ligj që e bënë FSK-në një ushtri me standarde të NATO-s, por me identitet të Kosovës që është në gjendje t’i përballojë të gjitha sfidat”, ka shtuar Çeku.
I pyetur gjithashtu se nëse i kanë votat e mjaftueshme për të bërë ligjin për ushtrinë, ai ka pohuar këtë fakt duke thënë se formimin e Ushtrisë së Kosovës nuk do ta ndalë askush.
Kastrati: Plani për zhvillimin e FSK-së është i gatshëm
Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, njëherit anëtar i Kryesisë së PDK-së, ka theksuar se plani për zhvillimin e ushtrisë së Kosovës është i gatshëm dhe është i paraparë që të zhvillohet në tri faza.
“Rishikimi strategjik i sektorit të sigurisë i cili ka filluar në vitin 2012 dhe ka përfunduar në vitin 2014 kur atëherë FSK-ja ka qenë e gatshme që të kalojë në Forcë Ushtarake, me të gjitha rekomandimet që kanë dalë, ka dalë edhe plani për veprimin se si do të zhvillohet Forca Ushtarake. Plani është i paraparë në tri faza. Pas fazës së dytë planifikohet dhe është e paraparë që Forca Ushtarake t`i arrijë kapacitetet operacionale dhe të evoluohet në forcë që është e gatshme t`i mbrojë interesat, sovranitetin dhe interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, është shprehur Kastrati.