As rritje të ndjeshme të buxhetit dhe as paga më të larta nuk kanë paraparë për tre vjetët në vijim partitë që drejtojnë dy koalicionet kryesore oponente për zgjedhjet e 11 qershorit, PDK-ja dhe LDK-ja.
Këtë përcaktim e kanë shprehur në një dokument që bashkërisht e kanë miratuar këtë muaj, shkruan sot Koha Ditore.
Në mbledhjen e fundit para se të rrëzohej, Qeveria e drejtuar nga këto dy parti ka miratuar Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve (KASH) për periudhën 2018-2020. Në të është prezantuar një analizë e mjedisit makroekonomik në vend dhe janë vijëzuar bazat për planifikimet buxhetore. Janë përshkruar në detaje edhe të hyrat dhe shpenzimet që parashihen të bëhen deri në 2020-n.
KASH-i është hartuar nga Ministria e Financave, e udhëhequr nga Avdullah Hoti, tani kandidat i LDK-së për kryeministër. Në fund të javës së shkuar, ministri i Punës, Arban Abrashi, i cili është zyrtar i lartë i LDK-së, ka thënë se buxheti i shtetit do të jetë 3 miliardë euro me Hotin si kryeministër.