Nga 16 kandidatë, Ibadete Muzaqi, bashkëshortja e nënkryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Besim Muzaqi, ka fituar konkursin nga Drejtoria për Shëndetësi dhe Përkujdesje Sociale dhe është punësuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë.
Muzaqi ka lënë katër kandidatë, duke u radhitur kështu e para me 80 pikë.
Nga Partia Demokratike e Kosovës, thonë së konkurset publike në Komunën e Vushtrrisë ka kohë të gjatë që po manipulohen.
“Rasti i punësimit të gruas së nënkryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Besim Muzaqi, shpërfaqë edhe një herë mendësinë farefisnore të kësaj qeverisje. VV dhe LDK e kanë kthyer Komunën në një institucion që i shërben familjes dhe jo qytetarëve”, ka thënë për Telegrafin, zëdhënësi i PDK-së në Vushtrri, Lorik Maxhuni.
Më tej, ai tha se ky rast nuk është i vetmi i punësimeve familjare në Komunën e Vushtrrisë.
“Fatkeqësisht këto punësime janë keqpërdorimet me të vogla karshi se çfarë është duke ndodhur me këtë qeverisje lokale. Është për keqardhje, ngase ky nuk është rasti i vetëm duke filluar nga punësimi i vëllait të Xhafer Tahirit e deri të punësimi i gruas së drejtorit të Shëndetësisë, Sylejman Meholli, muaj më parë në QKMF”, ka deklaruar Maxhuni.
Në anën tjetër, nënkryetari Besim Muzaqi ka mohuar të ketë pasur ndikim në këtë konkurs.
Ai për Telegrafin ka thënë se bashkëshortja e tij ka qenë e kualifikuar.
“Nuk ka pasur asnjë ndikim, ajo ka qenë e kualifikuar, gjithçka ka qenë transparente”, tha ai.
Ndryshe, Drejtoria për Shëndetësi dhe Përkujdesje Sociale, udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje.