Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka thirrur një konferencë për shtyp, pas zhvillimeve të sotme në seancën konstituive të Kuvendit. PDK ka dënuar presionet publike dhe private mbi deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si përpjekje për dirigjimin e votave të tyre.
Blerand Stavileci, zëdhënës i kësaj partie, apeloi te subjektet politike parlamentare, që të mos i shantazhojnë të zgjedhurit e popullit, por t’i lënë të lirë, sepse si përfaqësues të qytetarëve, deputetët i nënshtrohen vetëm vullnetit dhe ndërgjegjes së tyre.
Partia Demokratike shpreh shqetësimin e saj për “abuzimet e vazhdueshme”, që sot kryesuesi i seancës konstituive i ka bërë gjatë udhëheqjes së saj, duke treguar njëanshmëri dhe duke i ofenduar jo vetëm fituesit e zgjedhjeve, por edhe institucionin e Kuvendit të Kosovës.
“Ne sot kemi pasur një arenë… E keni parë çfarë kanë bërë deputetë të caktuar, e keni parë deputetin e LDK-së se çfarë ka bërë në Facebook. Pastaj e keni parë udhëheqjen e kryesuesit, i cili ka pasur presion nga deputetë të caktuar”, tha Stavileci.
“Mentaliteti uzurpues dhe manipulues i Vetëvendosjes dhe LAA-së e cenoi vullnetin qytetar dhe nuk i jep zgjidhje problemit”, tha Stavileci, raporton Ekonomia Online.
Për këto arsye, Stavileci tha se PAN-i nuk do të marrë pjesë as në seancën e të premtes.
“PDK është e vendosur dhe nuk i nënshtrohet diktatit politik. Ne i sigurojmë qytetarët dhe votuesit e PDK-së që do ta respektojmë vullnetin e tyre. PDK vazhdon të jetë garanci për të ardhmen”.
Por, PDK thekson se përpjekjet “e subjekteve humbëse” për krijimin e institucioneve do të dështojnë.
Sipas këtij subjekti politik, institucionet e Republikës së Kosovës do të formohen mbi vullnetin e shprehur të qytetarëve dhe jo mbi inatet personale të grupeve politike, që me qasjen e tyre destruktive po e bllokojnë të ardhmen e Kosovës.
“Përpjekjet e subjekteve politike humbëse të zgjedhjeve për të bllokuar krijimin e institucioneve shtetërore do të dështojnë dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës, të shprehur në zgjedhjet e 11 qershorit”.
“Mentaliteti uzurpues dhe manipulues i partisë Vetëvendosje dhe koalicionit të LDK-së është shqetësues jo vetëm për situatën aktuale, as vetëm për një pozicion politik sic mund të jetë pozita e kryeministrit apo kryeparlamentarit, por për kushtetutshmërinë dhe vullnetin e cenuar qytetar, duke krijuar kështu precedentë që nuk i japin zgjidhje problemit, por e legjitimojnë metodën e tyre uzurpatore për shtetin dhe institucionet”.
Stavileci tha se PDK, sikurse që ka dëshmuar deri më tash në themelimin, mbrojtjen dhe respektimin e institucioneve shtetërore, i siguron qytetarët dhe votuesit e PDK-së, se do ta respektojmë vullnetin e tyre, duke i formuar shumë shpejtë institucionet e Kosovës.