Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Mitrovicë ka shprehur shqetësimin e thellë për fillimin e ndërtimit të një muri ndarës në afërsi të Urës së Ibrit. Sipas PDK-së, nëse ndodh një gjë e tillë, situata në Mitrovicë mund të tensionohet deri në skajshmëri.
PDK-ja thekson se pjesën më të madhe të përgjegjësisë për eskalimin e mundshëm të situatës në radhë të parë do të bie mbi kryetarin, Agim Bahtiri, i cili prej ditës së parë që ka marrë mandatin ka udhëhequr një politikë të gabuar në raport me situatën në veri.
“Duke dashur të përfitoj politikisht, ai ka krijuar një huti të madhe tek qytetarët mitrovicas, të cilët në njërën anë dëgjojnë deklaratat e tij për bashkimin e qytetit dhe në anën tjetër shohin murin ndarës duke u ndërtuar”, thuhet në reagimin e PDK-së.
“Për ta rritur edhe më hutinë, Bahtiri ka lavdëruar veten për procesin e rivitalizimit të urës edhe të mërkurën nëpërmjet një komunikate për media. Madje për të arritur deri në marri, në komunikatë thuhet se qytetarët e kanë lavdëruar atë për këtë punë të mirë. Kjo politikë e tij patjetër se do të prodhoj mure në Mitrovicë, të cilat të gjithë i shohin përveç Agim Bahtirit”.
“Të gjithë mitrovicasit e shohin edhe murin që ka ngritur ai për sa i përket qytetarëve shqiptarë të veriut, të cilët i ka braktisur prej ditës së parë. Të gjithë mitrovicasit e shohin murin që ka ndërtuar ai së bashku me homologun e tij nga veriu, duke stopuar rindërtimin për shqiptarët e dëbuar nga veriu”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
Më tej theksohet se të gjithë, pos Agim Bahtirit, i shohin muret e stopimit që ka ngritur ai sa i përket zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, kulturës, sportit… “Ai ka krijuar një situatë të frikshme për të tashmen dhe të ardhmen e Mitrovicës”.
“Dështimin e tij mitik, nuk po ka si ta justifikoj ndryshe vetëm duke bërë tema të mëdha politike. I tillë është edhe muri në afërsi të urës. Do të qëndroj apo jo, simbolika e atij muri që ka filluar do ta bartë emrin e Agim Bahtirit, meqë ka provuar të marrë përgjegjësi që nuk mund t’i bartë”, thuhet në njoftim.
Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Mitrovicë, kërkon nga Agim Bahtiri, që të mos krijoj huti për atë që po ndodh në Mitrovicë, meqë po krijon një situatë që ai nuk mund ta kontrolloj. Papërgjegjësia e tij po e rrezikon jo vetëm Mitrovicën, por gjithë vendin. Si rrjedhojë insitucionet qendrore dhe ato ndërkombëtare duhet të reagojnë dhe ta qartësojnë këtë situatë, meqë ky njeri është duke e drejtuar Mitrovicën drejt humnerës.