Partia e Kadri Veselit sot po mban mbledhjen e Këshillit Drejtues. Deputetja Blerta Deliu-Kodra e ka konfirmuar se do të takohen anëtarët e organit më të lartë partiak.
Një zyrtar i PDK’së ka treguar për Express se kjo parti nuk do të jetë pjesë e pozitës.
“PDK në asnjë variant nuk bëhet pjese e pozitës. Fton partitë qe te mos bllokojnë vendin por t’i themelojnë institucionet”, ka thënë zyrtari i PDK’së.
Po ashtu, ai ka treguar se sot do të zgjedhet kryesia e re e partisë.
“Sot do të emërohen edhe anëtarët e Kryesisë dhe Nënkryetarët”, ka thënë ai.
Kadri Veseli i ka mbushur gjashtë muaj si udhëheqës i PDK’së në mandatin e dytë pa e kompletuar pjesën tjetër të Partisë. Ende s’i ka caktuar anëtarët e Kryesisë dhe as Nënkryetarët.
Megjithëkëtë, sot, Veseli e ka thirr mbledhjen e Këshillit Drejtues që do të mbahet në orën 13.
Deputetja Blerta Deliu-Kodra ka thënë se në këtë takim mund të flitet edhe tema emërimit të udhëheqjes tjetër të partisë dhe tema të tjera.
“Ne zakonisht i mbajmë për fundvit gjithmonë takimet e Këshillit Drejtues. Është një prej mbledhjeve ku do të diskutohet edhe aktualiteti politik, por nuk është e sigurt nëse do të zgjedhet sot kryesia ose jo. Nuk e kemi ende të definuar nëse do të arrihet të përmbyllës sot ose jo”, ka thënë Deliu-Kodra.
“Do të ketë diskutime rreth agjendave të fundit dhe natyrisht takim përmbyllës i partisë. Natyrisht janë çështje të strukturës tonë organizative, e kemi përmbyllë procesin zgjedhor deri në kryesi. Me e pa gjendjen e përgjithshme ku jemi, po ashtu me e pa mundësinë për reformat të cilat i bëjmë çdo ditë”, ka shtuar ajo.
PDK prej pasluftës ka qenë në pushtet në shumicën e kohës, përjashtim vitet 2004-2007, kur bashkëqeversnin LDK me AAK’në.
Kjo parti ka pasur katër herë pozitën e Kryeministrit, tri herë Hashim Thaçi përfshirë Qeverinë e Përkohshme dhe një herë Bajram Rexhepi.
Kadri Veseli, ish-Shef i SHIK’ut, ka marrë pozitën e Shefit të PDK’së më 2016 kur themeluesi i Partisë u ngjit në pozitën më të lartë shtetërore.
Aktualisht është partia e tretë pas Vetëvendosjes dhe LDK’së. Në ditën e zgjedhjeve, Veseli tha se shkojnë në opozitë pasi kanë humbur zgjedhjet.
VV dhe LDK kauzë zgjedhore e kanë pasur ta çojnë në opozitë PDK’në dhe kanë thënë se s’bëjnë koalicion me këtë parti.
PDK edhe në nivel lokal është partia e tretë sa i përket udhëheqjes së komunave. Drejton Drenasin, Kaçanikun, Shtimen, Ferizajn, Dragashin.
PDK është themeluar pas përfundimit të luftës ndërsa themeluesit kryesorë ishin edhe udhëheqës të luftës dhe të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK’së.
Një pjesë e madhe e udhëheqjes aktuale dhe ish-prijës të kësaj partie janë ftuar në cilësi të të dyshuarve nga Gjykata Speciale në mesin e të cilëve edhe Kadri Veseli, Rrustem Mustafa, Sami Lushtaku, Shukri Buja, Rexhep Selimi, Sylejman Selimi, Azem Syla etj.