PDK: Shpend Ahmeti mashtroi prishtinasit për ujin, tregun dhe trafikun

Prishtinë | 17 Sht 2017 | 14:39 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Prishtinë, sot përmes një konference për media ka demantuar Shpend Ahmetin lidhur me përmbushjen e premtimet e tij.

Sekretari i PDK-së në Prishtinë, Bujar Cakolli, ka thënë se asnjë premtim përmbajtjesor i Shpend Ahmetit nuk është përmbushur gjatë këtyre katër vjetëve, por se për shkak të dështimeve të shumta, sot do merren vetëm me tri premtime të tij, kurse ditëve të ardhshme edhe me të tjerat.

“Të vetmet premtime që ka përmbushur janë ato që mund t’ia ketë bërë partisë së tij, duke politizuar tërë administratën e Prishtinës, duke punësuar afër 500 militantë të Vetëvendosjes aty, duke u dhënë tenderë kompanive të afërta me Vetëvendosjen, duke punësuar militantë në Ndërmarrjen Banesore dhe në shkollat e Prishtinës, duke bërë biznes me leje ndërtimore, si dhe duke kapur dhe shfrytëzuar gjithçka publike për partinë Vetëvendosje në Prishtinë”, ka thënë Cakolli.

Për premtimin e Ahmetit për furnizim të pandërprerë me ujë, Cakolli ka thënë se ai kishte premtuar një mori gënjeshtrash, mirëpo tash ka përfunduar duke u munduar t’i përvetësojë meritat e të tjerëve për ndërtimin e fabrikës së ujit në Shkabaj.

“Vetëvendosje dhe Shpend Ahmeti kishin premtuar se brenda 12 muajve do ta bëjnë planin aksional për investimet e nevojshme në secilën lagje për parandalimin e humbjeve të ujit në gjithë rrjetin. Kurse, brenda 24 muajve, kishin premtuar se do t’i përfundonin të gjitha investimet kapitale dhe qytetarët e Prishtinës do të kenë furnizim të pandërprerë me ujë në të gjitha lagjet që janë pjesë e rrjetit në Prishtinë. Mirëpo, për 24 muaj nuk kishin bërë asgjë dhe qytetarëve të Prishtinës u ishte përkeqësuar furnizimi me ujë edhe më shumë, derisa u ndërtua Fabrika e Përpunimit të Ujit në Shkabaj, për të cilën Shpend Ahmeti nuk ka fije merite, ndonëse me propagandën e tij është munduar t’i përvetësojë meritat e ndërtimit të saj. Fabrika e ujit në Shkabaj është ndërtuar për të zgjidhur problemin e ujit për rreth tetë komuna, ku njëra prej tyre është edhe Komuna e Prishtinës”.

“Kostoja e ndërtimit të kësaj fabrike ka kushtuar afër 35 milionë euro, ku 20 milionë euro prej tyre janë kredi e marrë nga ujësjellësi “Prishtina”, derisa 5 milionë euro janë donacion i KfË-së, 5 milionë euro të tjera të Qeverisë dhe 5 milionë të Komunës së Prishtinës, marrëveshje kjo e kohës kur Kryeministër ishte Hashim Thaçi dhe Kryetar i Prishtinës, Isa Mustafa, obligim ky i kryer pjesërisht nga Komuna e Prishtinës, sepse prej kur është bërë kryetar Shpend Ahmeti, as borxhin që ia ka lënë qeverisja e kaluar prej 2.5 milionë euro ende nuk e ka kryer. Gjithashtu, për familjet në asistencë sociale, Vetëvendosje kishte premtuar edhe lirime për pagesën e ujit deri në 18 mijë litra gjatë muajit, por edhe kjo ishte vetëm një gënjeshtër e tyre elektorale, sepse kurrë as që kanë provuar ta përmbushin këtë premtim të tyre”, ka thënë Cakolli.

Sekretari i PDK-së së Prishtinës ka demantuar Vetëvendosjen edhe për përmbushjen e premtimit të tyre për krijimin e tregut të prodhimeve vendore.

“Tregu i prodhimeve të vendit “Duaje tënden” është edhe një premtim tjetër i papërmbushur i Kryetarit të Prishtinës, i cili kishte premtuar se do të krijonte një treg pa pagesë për prodhuesit vendorë. Në të gjitha tregjet ekzistuese, ai gjithashtu kishte premtuar edhe ndarje të një pjese vetëm për promovimin dhe shitjen e prodhimeve vendore bujqësore, ku prodhuesit do të kishin edhe lehtësime shtesë. Kishin premtuar edhe lehtësimin e organizimit të bujqve vendorë në aktivitete të grumbullimit dhe ruajtjes së prodhimeve bujqësore, por asnjëri prej këtyre premtimeve nuk është përmbushur”, ka thënë Cakolli.

Ai ka pyetur nëse dikush e di se ku gjendet tregu “Duaje tënden” për prodhuesit vendorë në Prishtinë?!

Sipas Cakollit, partia Vetëvendosje dhe Shpend Ahmeti u premtonin prodhuesve se do të flisnin edhe me pronarët e restoranteve dhe kafiterive në Prishtinë, që të furnizohen vetëm me prodhimet vendore dhe se do të kërkonin prej tyre që të zotohen me kontrata se të gjitha materialet që i blejnë për kuzhinë, do t’i blejnë nga prodhuesit vendorë, por as këtë nuk e kanë bërë.

Ndërkaq, si premtim tjetër, me të cilin është marrë sot Dega e PDK-së në Prishtinë është edhe dështimi i rregullimit të trafikut në Prishtinë.

“Vetëvendosje kishte premtuar edhe rregullimin e trafikut në Prishtinë dhe transport për të gjithë, ku siç thoshte Shpend Ahmeti, qëllimi është që prej pikës A deri në pikën B, me transport publik të shkohet për 5 minuta. Për sot jo 5 minuta, as 15, mirëpo deri në 50 minuta mund të zgjasë një udhëtim me transportin publik në trafikun tonë të rrëmujshëm. Vetëvendosje kishte premtuar reformim të thellë të tij dhe një sistem të linjave me orar të parashikueshëm, i cili do të mbulonte të gjitha lagjet, por gjithçka vazhdon të jetë tërësisht e paparashikueshme. Ata kishin premtuar edhe sistem të ri të pagesave dhe transport publik falas për pensionistë, raste sociale dhe grupe të tjera të rrezikuara, si dhe kufizim të qarkullimit të makinave në qendër, por as këto nuk i kanë përmbushur”

“Me një donacion të BERZH-it për trafikun urban janë blerë disa autobusë dhe i vetmi ndryshim është sjellja e këtyre autobusëve të rinj, proces ky i përcjellë me shumë parregullsi me të cilat do merremi ndonjë ditë tjetër, sepse është rast edhe për hetuesinë. Por, sjellja e tyre është vetëm një segment nga rregullimi i përgjithshëm i trafikut në Prishtinë, sepse Komuna e Prishtinës nuk i ka përmbushur as parakushtet për sjelljen e tyre, siç janë rregullimi i garazheve të trafikut urban, rregullimi i stacioneve ose vendndalimeve për të cilat komuna ka shpenzuar mbi 260 mijë euro dhe ato as që ekzistojnë, përfshirë edhe rregullimin e kabinave dhe hartave. Këta autobusë janë blerë me kredi të garantuar nga Qeveria e Kosovës”, ka thënë ai.

Cakolli ka thënë se përgjigjen nëse është përmirësuar trafiku në Prishtinë e dinë çdo qytetar, sepse çdo ditë e përjeton kaosin në trafikun e Prishtinës, i cili vetëm sa është përkeqësuar edhe më shumë.

Sekretari i PDK-së së Prishtinës, duke paralajmëruar konferenca të radhës për mashtrimet me premtime të Vetëvendosjes në Prishtinë, ka thënë se Shpend Ahmeti ka qenë i suksesshëm vetëm në mospërmbushjen e premtimeve të tij.

Në pyetjen se a kanë marrë përgjigjëje nga Prokuroria për kallzimin penaol që kanë bërë ditë më parë, Cakolli tha se janë ende në pritjen e përgjigjëjes derisa paralajmëroi edhe një kallzim tjetër penal ndaj Ahmetit mirëpo nuk tregoi se për çfarë.

Të ngjashme