PDK do të dorëzojë ankesë në KQZ për keqpërdorimin e posterëve nga Korenica

Rahovec | 07 Tet 2017 | 21:33 | Nga

Partia Demokratike e Kosovës, Dega Rahovec, ka paralajmëruar se do të dorëzojë ankesë në KQZ kundër kandidatit të Vetëvendosjes, Visar Korenica, për shkak të keqpërdorimit të posterëve elektoralë të kandidatit Idriz Vehapi.

PDK thotë se pasi posterët e vendosura të subjekteve politike në komunën e Rahovecit janë dëmtuar nga moti i ligët me erërat, Korenica, të cilin e quan “kandidat pa përvojë” e ka marrë një poster dhe i ka mbuluar drutë në oborrin e tij. Më pas, fotografinë ai e ka postuar në faqen e tij në Facebook.

“Kandidati i Vetëvendosjes, Visar Korenica, shihet në vazhdimësi se nuk ka përvojë në politik dhe bën shkelje drastike ligjore. Ai e shfrytëzoi rastin mbrëmë për shkak të motit jo të mirë, ku pothuajse të gjitha banerat (posterët) të vendosura të subjekteve politike në Komunën e Rahovecit janë dëmtuar nga moti i ligët (erërat)”.

“Kandidati për kryetar nga radhët e Vetëvendosjes, shfrytëzoi rastin pasi që një nga banerat (posterët) të dëmtuar të kryetarit Z.Idriz Vehapi e keqpërdori për t’i ndihmuar vetes dhe i mbuloi drunjtë në oborrin e tij, njëkohësisht foton e ka postuar në rrjetin social Facebook, në faqen e tij zyrtare. Shihet qartë që ka bërë shkelje ligjore në bazë të ligjit për zgjedhjet lokale”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Dega e PDK-së në Rahovec njofton se e ka përgatitur ankesën dhe do t’i drejtohet zyrtarisht KQZ-së për “këtë veprim skandaloz, të ulët dhe jo serioz nga kandidati i Vetëvendosjes”.

Të ngjashme