Peci: EULEX-i ta përfundojë mandatin, sistemin e drejtësisë e menaxhojmë vetë

Prishtinë | 02 Dhj 2017 | 11:37 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Enver Peci, i cili është emëruar së fundi si kryetar i Gjykatës Supreme, ka deklaruar se sot kërkohet rritja e perfomancës së sistemit të drejtësisë.

Peci, në konferencën e shtatë të organizuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka kërkuar që misioni i EULEX-it duhet të përfundojë mandatin, pasi sipas tij, ka ardhur koha që Kosova ta menaxhojë gjithë sistemin e drejtësisë, raporton Ekonomia Online.

“Ka pasur ndryshime të shumta ligjore dhe organizative. Zbatimi i këtyre ndryshimeve është duke u zbatuar në gjykata. Puna dhe problemet imponoi vazhdimin e reformave në sistemin gjyqësor. Në këtë kuadër është imperativ të shtohet bashkëpunimi mes tri pushteteve që të arrihet suksesi. Disa gjykata janë të mbingarkuarat më lëndë. Shpesh merren vendime pa u konsultuar mirë më palët dhe provat”, tha Peci, sipas të cilit ka dështuar lufta kundër korrupsionit.

“Korrupsioni në sistemin gjyqësor është më i dëmshmi sepse cenon rëndë paqen nacionale, shkel dukshëm të drejtat e njeriut”. Sipas tij, besimi në drejtësi duhet të shenjtë megjithatë është fakt se besimi i popullsisë është i paktë në sistemin kosovar të drejtësisë.

“Ne gjyqtarët duhet të rrisim kredibilitetin si fakt që të shmangim korrupsionin”, ka thënë Peci i cili ka theksuar që lufta kundër korrupsionin sjellë luftë edhe brenda sistemit të drejtësisë.

Idrizi: Lëndët kundër korrupsionit do të trajtohen me prioritet

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovë, Nehat Idrizi, deklaroi se gjykatat e Kosovës, gjatë këtij viti, kanë shënuar rritje të konsiderueshme të efikasitetit në zgjidhjen e lëndëve.

“Gjykatat themelore kanë treguar shkallë të efikasitetit mbi 100%, që do të thotë së kanë zgjidhur më shumë lëndë sesa kanë pranuar ndërsa Gjykata e Apelit, ka rritur produktivitetin, duke zgjidhur 6% më shumë lëndë sesa ka pranuar gjatë gjashtë mujorit të parë të vitit 2017 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016”.

Në konferencën e shtatë gjyqësore e cila po zhvillon punimet në Prishtinë, i pari i KGJK-së tha se të arritura ka pasur edhe sa i përket integrimit të Veriut, sipas Marrëveshjes se Brukselit.

“Si rrjedhojë e Marrëveshjes për Drejtësi të arritur në Bruksel, nga detyrimet që dalin nga aty kemi arritur të zgjedhim Kryetarin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë dhe Zëvendësin e tij, të dyja këto përzgjedhje i kemi përmbyllur me sukses. Me sukses kemi përmbyllur përzgjedhjen edhe të disa Gjyqtarëve Mbikëqyrës në Degët e Gjykatave respektive. Poashtu, si rrjedhojë e detyrimeve që dalin nga ‘Marrëveshja për Drejtësi’ e arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kemi arritur që të integrojmë në sistemin gjyqësor të Kosovës, gjithsej 42 gjyqtarë nga komunitetet jo-shumicë, shto kësaj edhe stafin mbështetës administrativ, ku gjithsejte 106 zyrtarë mbështetës janë rekrutuar për të mundësuar mbështetje adekuate administrative për gjyqtarët”.

Ndërsa shprehu zotimin se lëndët kundër korrupsionit do të vazhdojnë të trajtohen me prioritet.

Pjesë e kësaj konferencë ishte edhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj, i cili tha se sfidat e sistemit gjyqësor janë të mëdha, raporton EO.

“Sistemi i drejtësisë në përgjithësi kanë kaluar në periudha të ndryshme reformash. Janë barë përparime të dukshme. Reforma të cilat kanë kaluar KGjK kishin të bëjnë vetëm me ligjet, por edhe me strukturën e gjykatave. Po ashtu është procesi i emërimit dhe riemërimit të gjyqtarëve. Aktualisht sistemi gjyqësor po bënë përpjeke për rritjen e kapaciteteve për gjyqtar dhe për zgjedhjen e lëndëve”, ka thënë Isufaj.

Të ngjashme