Peci kërkon nga fermerët që ta bëjnë sigurimin e prodhimit, së shpejti s’do të ketë më kompensim të dëmeve në bujqësi

Prishtinë | 21 Pri 2022 | 11:12 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC), në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), kanë organizuar takimin e nivelit të lartë me temën “Sigurimi i Bujqësisë – Rritja e bujqësisë në Kosovë duke menaxhuar me rreziqet e motit”, raporton Ekonomia Online.

Aty u tha se humbjet si pasojë e faktorëve klimatik në 10 vitet e fundit ishin 80 milionë euro .

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka thënë se Kosova ka sipërfaqe të konsiderueshme që mund të përdoret për rritjen e produktivitetit të bujqësisë.

Peci tha se ndoshta ky do të jetë viti i fundit ku bëhet kompensimi i dëmeve, derisa ka kërkuar nga fermerët që ta bëjnë sigurimin e prodhimit.

“Kosova ka sipërfaqe të konsiderueshme të tokës që mund të përdoret për rritjen e produktivitetit të bujqësisë. Defektet që i kemi pas në bujqësi si pandemia e evazioni rus në Ukrainë, ka pas efekt edhe në zinxhirin e bujqësisë përkundër kësaj ne si institucione nuk kemi qëndruar duarkryq”.

“Ne kemi aprovuar strategjinë nacionale për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural 2022-2028. Duke qenë se aktualisht po përballemi me rritje të çmime, ne kemi ofruar bujqve subvencionim të imputeve”, tha Peci.

Peci tha se rritja e mbështetjes për kultivimin e pemëve dhe perimeve do ta rrisë cilësinë. Ndërsa për mbështetjen për bujqit me shifrën prej 50 milionë euro, mund të rritet varësisht prej numrit të aplikimeve.

“Buxheti i ministrisë për pagesa direkte është 50 milionë euro, mirëpo do të shohim se si do të jetë numri i aplikimeve dhe se nuk di a mbetet vetëm me 50 milionë euro. Jemi të vetëdijshëm që njëri nga sfidat janë humbjet nga kushtet klimatike. Në 10 vitet e fundit bujqit tanë kanë pasur humbje prej 80 milionë euro apo 50 për qind e produktit vjetor në bujqësi si pasojë e faktorëve klimatik”, tha tutje Peci.

“Ndoshta ky do të jetë viti i fundit ku ne si ministri do të bëjmë kompensimin e dëmeve. Pagesat ad-hoc janë të dobishme për fermerin, por synimi është që ne duhet të bëjmë përpjekje për vitet e ardhshme të ngrisim vetëdijen që fermerët duhet të bëjnë firmën e sigurimit”, tha Peci.

E udhëheqësi i Zyrës së IFC-së në Kosovë, Visar Perani, tha se një prej problemeve që ngrihet prej sektorit financiar ka qenë mossiguria sa i përket produkteve bujqësor për shkak të fatkeqësive natyrore.

“E dimë rëndësinë e bujqësisë në vendin tonë. Kështu që besojmë që, edhe pjesëmarrja e ministrit e tregon, që ka një synim dhe ka një qasje shumë pozitive sa i përket zhvillimit të bujqësisë në vendin tonë. Një prej problemeve që ngrihet prej sektorit financiar ka qenë mossiguria sa i përket produktit bujqësor, për shkak të pasojave që kanë me ndodhë prej fatkeqësive natyrore. Kjo është një prej arsyeve që bankat financojnë me vështirësi”, tha ai.

Leah Soroka, Menaxhere e Programit, Shërbimet Financiare klimatike dhe bujqësisë për Evropë dhe Azi Qendrore, tha se pandemia Covid-19 dhe lufta në Ukrainë kanë ndikuar në rritje e çmimeve të produkteve.

“Bujqësia pse është kaq e rëndësishme sot. Bujqësia është e rëndësishme sepse çmimet janë në shkallën më të lartë që kanë qenë. Çmimi i mallrave të grurit e mishit janë rritur në nivel global, arsyet janë të ndryshme, ka më pak tokë, popullatë në rritje kështu që këto gjëra së bashku me elemente të reja të ndryshimeve klimatike. Covid-19 dhe lufta në Ukrainë kanë ndikuar në çmimet e produkteve”, tha ajo.

“Në Kosovë, bujqësia është pjesë e madhe e biznesit.  60 për qind e popullatës jetojnë në zona rurale. Punëson 30 për qind të popullatës në bujqësi, kontribuon deri në 10% Bruto produktit vendor”, tha tutje ajo.

Isuf Cikaqi, Drejtor i departamentit për politika bujqësore dhe tregje, tha se në programin për pagesa direkte është i orientuar në përkrahjen e 3 sektorëve kryesore, ai i drithërave , hortikulturës dhe blegtorisë.

“Programet mbështetëse për fermerët, programi për projektet e zhvillimit rural dhe programi për pagesa direkte-subvencionet. Llojet e sigurimeve bujqësore të aplikueshme në Kosovë janë sigurimi bujqësor index dhe sigurimi bujqësor tradicional”.

“Sigurimet bujqësore kanë filluar të aplikojnë të drejtpërdrejtë që nga viti 2019 edhe më herët është punuar dhe në fund mendoj që është arrit me u finalizu një punë shumëvjeçarë”, tha tutje Sikaqi, duke shtuar se në vitin 2022 programi është zgjeruar me 12 kultura bujqësore, duke vazhduar subvencionimin e prizmin e sigurimit me vlerë prej 75 për qind.

Të ngjashme