Peci: Jemi në proces të draftimit të ligjit për kooperativat bujqësore që iu mundëson fermerëve ngritjen e kapaciteteve të përbashkëta për fuqizimin e tyre

Prishtinë | 18 Pri 2024 | 14:39 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, mëngjesin e të enjtes ka zhvilluar takim me Zanën dhe Hartimin nga shoqata Pepeko, Fatonin nga shoqata Organika, Kujtimin nga shoqata Mjedra e Kosovës.

Peci, ka thënë se në takimin e tyre kanë biseduar lidhur me sfidat dhe të arriturat e përbashkëta që kanë shoqatat e prodhuesve të kulturave të ndryshme bujqësore në vendin tonë, raporton Ekonomia Online.

Gjithashtu, ministri ka thënë se kanë biseduar lidhur me planin legjislativ të ministrisë, ku në janar të këtij viti ka kaluar ligji për organizatat prodhuese, praktikë kjo e BE-së që mundëson bashkimin e fermerëve me qëllim të qasjes së përbashkët në tregjet vendore dhe ndërkombëtare.

Një lajm shumë i rëndësishëm për fermerët, siç ka potencuar ministri është se gjatë këtij viti pritet të dërgohet në Parlamentin e Kosovës për aprovim edhe ligj i bazuar në praktikat e BE-së që do të iu mundësoj fermerëve ngritjen e kapaciteteve të përbashkëta për fuqizimin e tyre.

Tutje, ministri Peci, ka theksuar se në mandatin e tij si ministër i bujqësisë në bashkëpunim me shoqatat dhe fermerët e ka fuqizuar bashkëpunimi me partnerin strategjik ndërkombëtar GIZ.

Postimi i plotë:

I lumtur për partneritetin e shëndoshë që ndërtuam bashkë!

Mëngjesin e sotëm e nisa me një takim për kafe me Zanën dhe Hartimin nga shoqata Pepeko, Fatonin nga shoqata Organika, Kujtimin nga shoqata Mjedra e Kosovës, me të cilët biseduam “pa dorëza” për të arriturat e përbashkëta dhe sfidat që kanë shoqatat e prodhuesve të kulturave të ndryshme bujqësore në vendin tonë.

Që nga dita e parë e mandatit tim, MBPZHR ka qenë përkrah shoqatave dhe fermerëve, e këtë bashkëpunim e ka fuqizuar shumë edhe partneri strategjik ndërkombëtar GIZ (Deutsche Gesellschaft für Zusammenarbeit).

Një ndër projektet e përbashkëta ishte edhe “Promovimi Ekonomik për Stabilizimin e Tregut të Punës në Kosovë dhe Promovimi i Ndërmarrësisë”, për të cilin bashkëpunim falënderova edhe Erjonën dhe ekipin e kompanisë implementuese të projektit Piar Creations, të cilët na ndihmuan për mbi një vit në dokumentet strategjike të komunikimit dhe promovimin e fermerëve dhe shoqatave.

Unë jam i hapur dhe tejet falënderues ndaj fermerëve, shoqatave, partnerëve ndërkombëtarë dhe secilit që ndihmon qëllimin tonë të përbashkët, fuqizimin e bujqësisë sonë.

Bashkë folëm edhe për planin legjislativ të ministrisë, ku në janar të këtij viti ka kaluar ligji për organizatat prodhuese, praktikë kjo e BE-së që mundëson bashkimin e fermerëve me qëllim të qasjes së përbashkët në tregjet vendore dhe ndërkombëtare.

Jemi në proces të draftimit të ligjit për kooperativat bujqësore i cili gjatë këtij viti pritet të dërgohet në Parlamentin e Kosovës për aprovim. Edhe ky ligj i bazuar në praktikat e BE-së do të ju mundësoj fermerëve ngritjen e kapaciteteve të përbashkëta për fuqizimin e tyre.

Të ngjashme