Imazhet satelitore të shqyrtuara nga BBC tregojnë akullnaja të tkurrura, zona të djegura nga zjarret, fusha të gjelbra të thata dhe nivele më të ulëta të lumenjve.
Shërbimi i monitorimit të klimës i BE-së, Copernicus, ka konfirmuar se Evropa Perëndimore përjetoi periudhën e saj më të nxehtë qershor-korrik të regjistruar ndonjëherë. Shkaku i menjëhershëm i valëve të nxehtësisë kanë qenë sistemet e vazhdueshme të motit me presion të lartë që sjellin qiell të kthjellët dhe me diell dhe lejojnë rritjen e temperaturave, sipas Zyrës Meteorologjike.
Por ndryshimi i klimës, kryesisht për shkak të djegies së lëndëve djegëse fosile, ka rritur temperaturat mesatare për dekada dhe i ka bërë periudhat e nxehtësisë shumë më të mundshme dhe intensive.
Niveli i ujërave të Danubit, lumi i dytë më i gjatë në Evropë, ka rënë në nivelet më të ulëta të 30 viteve të fundit në disa vende. Ndërkohë, në pjesët ku lumi gjarpëron përmes Hungarisë dhe Rumanisë, centralet bërthamore janë detyruar të ndërpresin punën ose të funksionojnë me kapacitet të reduktuar për njëfarë kohe, për shkak të pamundësisë për të përdorur ujin e lumit për ftohje.
Ndërkaq, në lumin Rajnë, disa anije mallrash kanë mbetur të bllokuara dhe lundrimet turistike janë anuluar. Madje edhe majat e mbuluara me borë të Alpeve nuk u kanë shpëtuar të nxehtit.
Pas një dimri të butë, në fund të prillit akullnajat kishin më pak shtresë bore se zakonisht, ndërsa një valë e pazakontë e hershme të nxehti në muajin pasues përshpejtoi shkrirjen e borës. Kjo gjë ekspozoi akullin që ndodhej poshtë, duke i bërë akullnajat të cenueshme ndaj një shkrirjeje më të shpejtë gjatë valëve të mëvonshme të të nxehtit.
Edhe pjesë të Evropës Perëndimore janë prekur nga zjarret në pyje këtë verë. Në Francë janë djegur më shumë se 90 000 hektarë Sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje, ky është tashmë viti më i rëndë i regjistruar ndonjëherë. Zjarri më i madh në rajonin e Gironde-s, ku ndodhet qyteti i Bordosë, dogji rreth 42 000 hektarë tokë.