Duket se Komuna e Pejës sivjet është treguar më e ashpër ndaj borxhlinjve për tatimin në pronë. Shkruan sot Koha Ditore.
Në fokus sivjet kanë qenë më tepër personat juridikë, ndaj të cilëve që në fillim të vitit Drejtoria e Financave kishte filluar dërgimin e vërejtjeve për bllokim të llogarive bankare gjithë borxhlinjve fizikë dhe juridikë që nuk janë duke iu përgjigjur shlyerjes së borxheve që i kanë ndaj arkës komunale për tatimin në pronë, i cili në fillim të vitit ishte afër 9 milionë euro.
Ndërkohë disa u janë përgjigjur këtyre vërejtjeve, por jo të gjithë. Sidomos në fokus të arkës komunale kanë qenë subjektet afariste. Në një listë të Komunës që u ishte dërguar vërejtja për bllokimin e llogarisë bankare, në raste se nuk e shlyejnë së paku gjysmën e borxhit që kishin, kanë qenë fillimisht 57 persona juridikë, secila me mbi 5 mijë euro borxhe për tatim në pronë të papaguar.
Mirëpo, jo të gjitha bizneset edhe u janë përgjigjur këtyre vërejtjeve dhe për të arkëtar ato borxhe, siç thotë drejtori i Financave, Jeton Abazaj, 42 persona juridikë janë dërguar te përmbaruesi.