Pelosi kundër nxjerrjes së Trumpit në votëbesim

Prishtinë | 12 Mar 2019 | 09:04 | Nga Ekonomia Online

Udhëheqësja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara tha se është kundër përpjekjeve për ta nxjerrë në votëbesim presidentin Donald Trump, duke thënë se “nuk ia vlen”.

Nancy Pelosi i bëri komentet në një intervistë për gazetën The Washington Post.

“Nuk jam për votëbesimin”, tha ajo.

“Dersia nuk ka diçka bindëse, të madhe dhe që mbështetet nga të dyja partitë, nuk mendoj se duhet të shkojmë në atë rrugë, sepse ajo e ndan vendin”, tha Pelosi.

Komentet e saj vijnë në kohën e presionit në rritje nga ligjvënësit demokratë për ta nxjerrë në votëbesim Trumpin, i cili është republikan.

Presioni është rritur qysh në muajin nëntor, kur demokratët kanë marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.

Me Kushtetutën e SHBA-së, çdo përpjekje për ta nxjerrë në votëbesim presidentin amerikan bëhet fillimisht në Dhomën e Përfaqësuesve.

Nëse presidenti del në votëbesim, Senati pastaj vendos nëse do ta largojë nga zyra – gjë që nuk ka ndodhur kurrë në historinë e SHBA-së.

Disa komitete të Dhomës së Përfaqësuesve kanë nisur hetime agresive ndaj Shtëpisë së Bardhë që kanë të bëjnë sidomos me lidhjet e dyshuara të Trumpit me Rusinë.

Hetime për këtë çështje po bën edhe këshilltari i posaçëm amerikan, Robert Mueller.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme