Në sheshin “Nënë Tereza” është vendosur “Pema e Ndërgjegjësimit”, në të cilën qytetarët do të mund të vendosin mbeturinat që hidhen në vende joadekuate në sheshet e Prishtinës.
E gjithë kjo me qëllim që të rritet vetëdijesimi për dëmet që mbeturinat i shkaktojnë mbeturinat në përgjithësi.
Vjosa Berisha udhëheqësja e Qendrës së Informimit dhe Kulturës së BE-së ftoi qytetarët që mbeturinat që i shohin në shesh t’i vendosin në drurin në shesh në mënyrë që përmes dekorimit të kësaj peme me mbeturina të vetëdijesohen lidhur me dëmet që këto mbeturina i shkaktojnë mjedisit.
“Para 10 ditësh e kemi filluar fushatën e mjedisit ‘Give Green e Chance’. Kjo fushatë ka filluar më 24 shtator dhe do zgjasë deri në dhjetor. Tani jemi në javën e dytë të fushatës, është java e ujit. Sot kemi një aktivitet i cili do të mundohet që të rris vetëdijen në lidhje me ndotjen e ambientit,” shprehet Berisha.
“Aktiviteti i sotëm është vendosja e këtij druri. Ftojmë qytetarët që të vendosin qeset me mbeturina, t’i vendosin në këtë dru dhe të shohin se si dekorohet ky dru me mbeturina e atëherë mundemi me kuptu se sa dëmtohemi.”
Udhëheqësi i sektorit politik të zyrës së BE-së në Kosovë, Ricardo Serri, shprehi përkrahjen e zyrës që bën pjesë për mbrojtjen e mjedisit.
Ai ngriti shqetësimin që përkundër natyrës së bukur që ka Kosova, ajo nuk është duke u mbrojtur sa duhet.
“BE është partner i Kosovës në një numër të lëmive të jetës publike. Dëshirojmë të mbështesim Kosovën, për tu fokusuar në prioritete të caktuara që të sjellim Kosovën më afër Bashkësisë Evropiane. Dëshirojmë të koncentrohemi në fushata që sipas nesh janë të rëndësishme për ne, për Bashkësinë Evropiane.”
“Jemi këtu të ju mbështesim. Po mundohemi që të zhvillojmë ide të caktuara për të promovuar fushata të caktuara për të vetëdijesuar qytetarët për fusha të ndryshme.”
Ne duam të fokusohemi në diçka që është pothuajse e barabartë me edukimin, mbrojtja e mjedisit. Kosova është vend i mrekullueshëm, është i gjelbër, por është fatkeqësisht e vërtetë se mjedisi duket si foto mbrapa, dhe nuk është i mbrojtur sa duhet. Ndoshta njerëzit nuk mendojnë kur hedhin mbeturina.
“Kjo kampanjë do të jetë përafërsisht deri në dy muaj e gjysmë, deri në mesin e dhjetorit.”
Lum Zhavelli, një nga pjesëtarët e fushatës tha se ambient i pastër do të thotë jetë më e mirë për qytetarët.
Zhavelli i cili është notues, përmendi edhe rëndësinë e ruajtjes së ujit.
“Besoj që një ambient i pastër për të gjithë ne, do të thotë një jetë më e mirë për të gjithë ne. Në duhet të kemi kujdes me ujërat. Nëse ne duam dëshirojmë të kemi një Kosovë të mirë dhe të bukur atëherë ambienti është ai që dëshirojmë të fokusohemi.”
“Pema e Ndërgjegjësimit” është në kuadër të Fushatës për Mjedis e cila ka filluar më 24 shtator, e organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe implementuar nga Zyra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian.
Lansimi i Pemës do të bëhet edhe në Prizren e Pejë.
Ndërsa aktivitetet në kuadër të kampanjës për mjedisin do të vazhdojnë deri në muajin dhjetor.