Policia e Kosovës ka vazhduar me aktivitete të ndryshme për nder të 20-vjetorit të themelimit të saj.
Në vazhdën e tyre, sot në sheshin “Zahir Pajaziti” janë prezantuar disa mjete që policia i përdorë gjatë punës së tyre.
Zëvendësdrejtori i PK-së, Samedin Mehmeti, tha se ky aktivitet është për qytetarët dhe i ka ftuar ata që të vijnë dhe t’i shohin nga afër pajisjet.
“Ne sot po shënojmë shumë aktivitete në kuadër të 20-vjetorit të themelimin të Policisë së Kosovës që kanë filluar më herët dhe do të zgjasin deri me datë 6 shtator. Ky aktivitet është për qytetarët dhe i ftojmë që te vijnë dhe të njihen për së afërmi me pajisjet tona. Gjithë qytetarët jeni të mirëseardhur për ta festuar ditën e 20-vjetorit të policisë që do të përmbyllet me 6 tetor e ku do të ketë shumë aktivitete. Sukseset tona janë sukses i gjithë qytetarëve”, ka thënë Mehmeti.
Ai së bashku me të tjerët kanë prezantuar njësitet tjera të pranishme.
Të pranishëm ishin njësite të ndryshme, si Forenzika, Skuadra e bombave e shumë njësi të tjera.
Interesimi i qytetarëve për t’u njohur nga afër me pajisjet që i posedon PK-ja, ishte shumë i madh.