Për 6 vjet, 12 studentë kosovarë do të përfitojnë bursa master nga MAShT dhe Ambasada Franceze

Prishtinë | 31 Mar 2023 | 12:54 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShT) dhe Ambasada Franceze në Kosovë do të bashkëfinancojnë 12 studentë të arsimit të lartë në nivelin master, për një periudhë 6-vjeçare, raporton Ekonomia Online.

Kështu ka bërë të ditur, zëvendësministrja e kësaj ministrie, Edona Maloku-Bërdyna, e cila ka thënë se marrëveshja do t’u mundësojë 12 studentëve të studiojnë në Francë.

“Qeveria e Kosovës ka miratuar javën e kaluar edhe projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes të ministrisë së Arsimit dhe Ambasadës së Francës. Kjo marrëveshje ka për qëllim promovimin e lëvizjes së studentëve kosovarë në Francë, dhe forcimin e bashkëpunimit ekzistues në këtë fushë. Marrëveshja është për një periudhë 6-vjeçare dhe do të mbështesë gjithsej 12 studentë të Kosovës që do të kenë mundësi të studiojnë në Francë”.

Në një konferencë për medie, Maloku-Bërdyna, ka treguar edhe për të arriturat e fundit në fushën e arsimit.

Ajo ka treguar se së bashku me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë do ta shkruajnë Enciklopedinë Shqiptare.

 “Javë më parë bashkë me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë kemi nënshkruar protokollin e marrëveshjes së bashkëpunimit për projektin madhor në Albanologji, Enciklopedia Shqiptare, projekt që do të zbatohet nga Akademitë e Shkencave të dy vendeve tona. Enciklopedia shqiptare do të përbëhet nga 10 vëllime, me nga 400 faqe secili, ku do të përfshihen ngjarje historike”.

“Në kuadër të forumit nacional “rritemi bashkë” kemi shpallur muajin mars si muaj sensibilizimi kundër dhunës në shkolla”.

Ndërsa, ajo ka njoftuar edhe për ndërtimin e një shkolle në Kamenicë si dhe 3 çerdhe të reja në Batllavë të Podujevës, Fushë Kosovë dhe Godanc të Shtimes.

“Gjithashtu në përmbushje të premtimit tonë për krijimin e kushteve të mira për zhvillimin e procesit mësimor kemi vënë gurthemelin e shkollës fillore të mesme të ulët “Fan Stilian Noli” në Kamenicë”.

“Gjithashtu kemi hapur tenderin për ndërtimin e 3 çerdheve të reja në Batllavë të Podujevës, Fushë Kosovë dhe Godanc të Shtimes. Ministria e Arsimit do të vazhdojë me planin për ndërtimin e çerdheve dhe kopshteve të reja për të siguruar hapësirat e nevojshme për secilin fëmijë. Po ashtu jemi në kontakt edhe me komunat për evidentimin e hapësirave për ndërtimin e çerdheve të reja si aktivitet i shtuar këtë vit dhe vitin e ardhshëm”, tha zëvendësministrja.

Ajo bëri të ditur se MAShT pret që në javët në vijim të fillojë edhe procesi i rekrutimit të inspektorëve të rinj, pasi që konkursi i vitit të kaluar ishte anuluar nga komisioni vlerësues i cili kishte gjetur shkelje në këtë konkurs.

“Jemi të vetëdijshëm se kemi numër të vogël të inspektorëve të arsimit dhe me qëllim të rritjes së cilësisë së arsimit në vend njëra ndër qëllimet tona ka qenë edhe mbetet rritja e numrit të inspektorëve, synimi i këtij konkursi ka qenë pikërisht ky, ku me kërkesën tonë Ministria e Punëve të Brendshme e ka hapur konkursin dhe janë zhvilluar të gjitha procedurat por që pastaj komisioni vlerësues ka gjetur se ka pasur disa shkelje ose hapa që në procedurë nuk kanë shkuar siç duhet, kështu që me rekomandimin e tyre është anuluar konkursi. Ne presim që në javët në vijim t’i kthehemi prapë kësaj pune dhe të vazhdojmë me rekrutimin e inspektorëve të rinj sepse e kemi shumë me rendësi që ata të jenë në sistem sa më parë”, deklaroi ajo.

Të ngjashme