Për Albin Kurtin secila ditë është e papërshtatshme të ftohet nga Prokuroria

Prishtinë | 11 Dhj 2024 | 23:09 | Nga Adriatik Kelmendi

Lëvizja Vetëvendosje! ka të drejtë, por vetëm në një pikë. Prokuroria Speciale i ka dërguar ftesë kryeministrit Albin Kurti për paraqitje si dëshmitar në gjykatë në një ditë të papërshtatshme, ditën kur finalizohen listat zgjedhore.

Por, secila ditë do të ishte e papërshtatshme për një ftesë të këtillë.

E papërshtatshme do të ishte ditën kur i ka bërë qeveria 100 ditë, ose kur i ka bërë një vit. Ose kur do të ndodhej në udhëtim jashtë vendit. Ose në ndonjë konferencë ndërkombëtare. Ose kur do të ishte në takim me përfaqësuesit e Quintit. Ose kur do të ishte në takim me Vuçiqin në Bruksel. Ose kur do të ishte në ndonjë ditë përkujtimore. Ose kur do ta përuronte një sallë të renovuar spitali. Ose kur do të ishte Bajram. Ose edhe Shën Gjergj. Ose, secilën ditë të lume do të ishte e papërshtatshme që një kryeministër i një shteti të thirret nga Prokuroria Speciale.

A e dini përse? Ngase një kryeministër nuk do të duhej ta binte punën që të thirrej nga prokuroria.

Pse duhet të thirret kryeministri nga prokuroria?! Ky do të duhej të ishte thelbi i diskutimit.

Albin Kurti, si kryeministër, pra si i pari i qytetarëve të barabartë të një vendi demokratik, do të duhej ta shtronte këtë dilemë i pari. Pse u thirra?

Pastaj, do të duhej të dilte dhe të thoshte se ai, si kryeministër, pra si i pari i qytetarëve të barabartë të një vendi demokratik, do t’i përgjigjet pa hezitim çfarëdo fteseje nga prokuroria, meqë nuk ka asgjë për të fshehur; shoqëruar me lutjen që kjo çështje të ose bëhet pjesë e fushatës elektorale dhe përfitimit të subjekteve politike.

Mbi të gjitha, kryeministri i ka mëkatet e veta në këtë mesele, edhe nëse vetë si individ është i pastër. Sigurisht se te kjo ftesë nuk do të vinte sikur kryeministri të kishte qenë më i vëmendshëm në punën e vartësve të tij, ministrave, zëvendësministrave, ambasadorëve e kështu me radhë, një numër prej tyre tashmë me akuza, hetime e dyshime të bazuara për keqpërdorime.

Kryeminitri Kurti nuk e ka ndërruar asnjë ministër, asnjë zv.ministër ose ambasador për të cilin janë ngritur dyshime për keqpërdorime. Është dashur ta bëjë. Të mos i mbrojë duke i mveshur me pushtet politik. Por t’i shkarkonte, duke presumuar pafajësinë, derisa ajo të provohej.
Se ndryshe, problem, shumë problem!

Të ngjashme