Kuvendi i Kosovës ka dështuar edhe në përpjekjen e tretë radhazi të votojë marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi. Deputetët e VV-së kanë hedhur sërish gaz lotsjellës, duke pamundësuar votimin e marrëveshjes.
Deputeti Xhelal Sveçla hodhi gazin për herë të dytë. Kryeparlamentari Kadri Veseli ka thënë se seanca do të rinisë në ora 16:30.
Dje Kuvendi u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme, në tentativën e katërt për të ratifikuar Marrëveshjen për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
Seanca, e cila nisi të martën në orën 16 ka përfunduar pas rreth nëntë orë debati parlamentar, ku pothuajse të gjithë deputetët e Kuvendit shprehen mendimet e tyre rreth kësaj teme.
Seanca është shtyrë të vazhdohet sot, kur pritet të iniciohet edhe procedura e votimit, ndonëse sipas koalicionit qeverisës, votimi do të ndodhë vetëm nëse paraprakisht sigurohen votat për ratifikim.